Paris

FIFA e zgjedh sonte “Futbollistin e Vitit 2022”


FIFA do t’i zgjedhë sonte më të mirët e vitit 2022 përmes një gala mbrëmjeje që do ta mbajë në Paris të Francës. Nga Kosova, për futbollistin më të mirë të vitit dhe për kategoritë e tjera kanë votuar, selektori i Kombëtares, Alain Giresse, kapiteni Amir Rrahmani dhe redaktori i sportit në “Gazetën Express” dhe në “T7”, Valon Konushevci. Lionel Messi shihet si favorit për ta fituar çmimin e futbollistit të vitit

FIFA do ta zgjedhë sonte futbollistin e vitit 2022 në një gala mbrëmje që do ta mbajë në Paris të Francës.

13 yje të futbollit ishin nominuar për lojtarin e vitit, të zgjedhur nga një panel ekspertësh dhe prej tyre, tre finalistë u zgjodhën nga një juri ndërkombëtare, e përbërë nga selektorët e Kombëtareve, kapitenët e Kombëtareve, gazetarët profesionistë sportivë dhe tifozët, të cilët votuan përmes uebfaqes zyrtare të FIFA-s.

Nga Kosova votuan selektori i “Dardanëve”, Alain Giresse, kapiteni Amir Rrahmani, dhe gazetari & redaktori i sportit në “Gazetës Express” dhe në televizionin “T7”, Valon Konushevci.

Kjo është hera e gjashtë që Valon Konushevci përzgjidhet nga FIFA për të votuar në “The Best FIFA Football Awards” që prej anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, prej tyre pesë herë në kategorinë e meshkujve dhe një herë në kategorinë e femrave.

Lionel Messi, Kylian Mbappe dhe Karim Benzema janë në garë për ta fituar çmimin “Futbollisti më i mirë i Vitit 2022”.

Për këtë çmim është llogaritur periudha prej 8 gushtit 2021 deri më 18 dhjetor 2022.

Mediat e huaja raportojnë se favorit për ta fituar këtë çmim është shtatë herë fituesi i Topit të artë, Lionel Messi, i cili së fundmi e fitoi Kupën e Botës në Katar, ndërsa po shfaq formë solide edhe momentalisht.

Messi i ka shënuar 11 gola në 34 paraqitje me PSG-në në vitin 2022, krahas suksesit me Kombëtaren “Albiceleste”.

Në konkurrencën e femrave, të nominuara për lojtaren e vitit janë Beth Mead, Alex Morgan dhe Alexia Putellas.

Gala mbrëmja e sontme do të nisë në orën 21:00.