FFK zgjodhi trajner gjerman për U21, reagon Behrami: “Afroni emrat e mëdhenj të Kosovës”!

Ragip Behrami – babai i futbollistit të famshëm Valon Behramit, i cili është edhe njohës i mirë i futbollit – ka reaguar ndaj vendimit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), e cila sot e emëroi selektorin e ri të Kombëtares së Kosovës U-21. Shtëpia e futbollit këtë pozitë ia besoi gjermanit Michael Nees, i cili e zëvendëson Rafet Prekazin. Nees qe një kohë punon në Kosovë si drejtor teknik në FFK, ndërsa nuk ka karrierë aq të madhe si ish futbollist apo si trajner.

Andaj, Ragip Behrami thotë për Express se FFK është dashtë që këtë pozitë t’ia japë ndonjë trajneri kosovar profesionist dhe të tillë thotë se ka mjaft.

“Kam pritur të emërohet ndonjë trajner si Shefki Kuqi, një ish futbollist me karrierë të hatashme. Kosova ka trajnerë të mjaftueshëm për postin e selektorit te U21. Përpos Kuqit, e kemi Ardian Koznikun, Kujtim Shalën, Lorik Canën, etj. Vetëm brenda Kosovës ka trajnerë që kanë mundur ta marrin këtë pozitë dhe ta kryejnë me sukses e profesionalizëm punën, si Ismet Munishi, Afrim Tovërlani apo Gani Sejdiu, etj. Pra jam i habitur me këtë zgjedhje të FFK-së, e cila ka të drejt të zgjedh, dhe mbetet të shihet nëse zgjedhja ishte e duhur”, tha Behrami për Gazetën Express.

Sipas tij, FFK ndër vite ka lënë ish futbollistë e profesionistë jashtë saj dhe kështu duke mos i afruar rrezikon që edhe në të ardhmen shumë profesionist të hezitojnë për t’iu afruar Kosovës për të dhënë kontributin e tyre profesional duke e pasur parasysh mos afrimet ndër vite të shumë emrave tjerë të mëdhenj.