FFK: Mos bini pre e mashtrimeve, nuk ka bileta në shitje

Tanimë është bërë e ditur që për ndeshjen e Kosovës kundër Greqisë pjesëmarrja e tifozëve në stadiumin do të jetë e limituar.

Këtë gjë e ka konfirmuar edhe Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) e cila ka bërë të ditur që në stadium do të lejohen vetëm “Dardanët”, ekipet e të dy kombëtareve dhe nga autoritet e shtetit.

FFK e ka ritheksuar që nuk do të ketë bileta në shitje, dhe se ato që do të shfrytëzohen nga “Dardanët” do të jenë falas.

Po ashtu, FFK ka bërë thirrje për publikun kosovar që të kenë kujdes dhe të mos jenë pre e mashtrimeve, pasi që nuk ka bileta në shitje, dhe që në rast keqpërdorimi të biletave, personat përkatës do të denoncohen në policinë e Kosovës.

Pjesëmarrësve në stadium iu kërkojmë që t’i ruajnë biletat e ndeshjes pasi ato do të jenë të vlefshme për lëvizje të lirë pas ndeshjes gjatë orës policore.