FFK-ja thotë se është e gatshme ta rifillojë sezonin në Superligë më 30 maj

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka njoftuar se është e gatshme për t’i lejuar klubet t’i rifillojnë stërvitjet nga 10 maji, në mënyrë që sezoni i pezulluar 2019/20 në Ipko Superligë t’i vazhdojë garat më 30 maj nga xhiroja e mbeturedhe pse dekreti i qeverisë thekson se aktivitetet sportive lejohen nga 2 qershori.

Organi qeverisës i futbollit në vend ka thënë se e ka përpiluar një plan për ta shpëtuar sezonin e futbollit në vend në bazë të këshillave nga UEFA dhe pret që Ministria e Shëndetësisë e Kosovës t’ia aprovojë atë, raporton Gazeta Express.

Por plani i FFK-së bie ndesh me vendimin e Qeverisë së Kosovës për lehtësimin e masave për mbrojtje ndaj pandemisë koronavirus, në bazë të së cilit aktivitetet sportive mund të rikthen në fazën e tretë, nga 2 qershori.

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së e mbajti një mbledhje sot nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, ku unanimisht vendosi për rifillimin e kampionatit, gjithmonë nëse nuk do të ketë ndonjë përkeqësim të situatës me pandeminë në javët në vazhdim dhe gjithçka do të bëhet në koordinim të plotë me institucionet e vendit.

Sezoni në Superligë u pezullua më 13 mars pas javës së 22-të, menjëherë pas rasteve të para me Covid-19 në vend.

“KE përpiloi edhe një pasqyrë të orarit të ndeshjeve të mbetura, e që është në koordinim të plotë me kërkesën e UEFA-s për përfundimin e edicionit më së largu deri më 20 korrik. KE do ta paraqesë këtë format të kalendarit në institucionet shëndetësore dhe në ato vendimmarrëse të vendit, me kërkesën që ekipeve t’u mundësohet fillimi i stërvitjeve në grupe nga 10 maji, derisa rifillimi i garave të bëhet me ndeshjet gjysmëfinale të Digitalb Kupës së Kosovës më 23 e 24 maj, ndërkaq kampionati i Ipko Superligës të vazhdojë nga 30 maji dhe xhirot e mbetura të luhen deri më 15 korrik. Ky edicion i garave do të mbyllet me finalen e kupës më 18 korrik. Të gjitha ndeshjet do të luhen pa shikues dhe me masa të rrepta sigurie për shëndetin e futbollistëve dhe pjesëmarrësve tjerë në ndeshje”, thuhet në njoftimin e FFK-së

FFK-ja është e obliguar që deri më 24 maj ta njoftojë UEFA-s se çfarë planifikon të bëjë me sezonin 2019/20 në ligën elitare.

“Tani i mbetet krerëve të FFK-së që në ditët e ardhshme të takohen me drejtuesit e institucioneve dhe të dakordohen për hapat e mëtutjeshëm, ngase më 24 maj FFK është e obliguar ta njoftojë UEFA-n për vazhdimin ose jo të garave të këtij edicioni”, thuhet tutje në njoftim.

Shtëpia e futbollit kosovar këmbëngul se dëshiron ta përfundojë kampionatin në formatin e nisur, në mënyrë që klubet pjesëmarrëse në play-off për kualifikim në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës të sigurojnë vendin me meritë sportive.

“KE edhe një herë unanimisht u deklarua për rifillimin e garave me formatin e njëjtë, për çka kërkon edhe nga institucionet që ta kenë në konsideratë nevojën për rifillimin e futbollit si një segment tejet i rëndësishëm në vendin tonë. KE vlerëson se kjo është mënyra më e mirë që skuadrat pjesëmarrjen në garat evropiane ta sigurojnë në bazë të meritës dhe cilësisë në fushën e gjelbër, porse gjithçka do të varet nga vendimet e institucioneve. Në rast se gjendja me pandeminë përkeqësohet apo institucionet shëndetësore e vlerësojnë të rrezikshme vazhdimin e garave për shëndetin e futbollistëve dhe pjesëmarrësve tjerë në një ndeshje, atëherë KE i FFK-së do t’i zbatojë me përpikëri udhëzimet e UEFA-s”.