Dje u mbajt mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës, ku u vendos që të rregullohet varri i ish presidentit të Federatës, Fadil Vokrri, si dhe të mbahet një turne përkujtimtor për nder të tij.
Turneu për nder të Fadil Vokrrit do të fillojë më 23 korrik, në datëlindjen e tij, dhe aty të marrin pjesë veteranët e klubeve ku ka luajtur vetë Vokrri gjatë karrierës së tij, Llapi, Prishtina, Partizani e Fenerbahçe.
“Meqenëse po afrohet njëvjetori i vdekjes së legjendës së futbollit dhe ish-presidentit Fadil Vokrri, KE mori vendim dhe themeloi Komisionin për rregullimin e varrit. Kështu që, Komisioni i përbërë nga Agim Dibrani, kryetar, Arianit Ahmeti, Ilaz Mjaku e Mirsad Çollaku anëtarë do të përkujdesen për mbarëvajtjen e punimeve të varrit të ish-presidentit”, shkruhet në njoftimin e lëshuar nga FFK-ja.
“Po ashtu, KE në datëlindjen e legjendës Fadil Vokrri më 23 korrik do të organizojë një turne përkujtimor në kategorinë e veteranëve të kohës dhe brezit të Fadil Vokrrit, e ku do të marrin pjesë veteranët e klubeve, në të cilat ka luajtur legjenda, Llapi, Prishtina, Partizani dhe Fenerbahçe”.
Për këtë turne dhe mbarëvajtjen e tij, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së e themeloi Komisionin në përbërje Bakir Burrin, kryetar, Jusuf Tortoshi e Luan Salihu, anëtarë.
Vokrri e filloi karrierën e tij si futbollit me Llapin, mirëpo debutimin si futbollist profesionist e bëri me Prishtinën në vitin 1980. Karriera e tij 15-vjeçare e dërgoi atë në Partizan, Nimes, Fenerbahce, Bourges 18. Në fund të karrierës së tij, në vitin 1995, ai u pensionua në klubin Montlucon.
Pas karrierës së tij mbresëlënëse si futbollist, Vokrri e mori përgjegjësinë e pozitës së presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës më 16 shkurt 2008, dhe këtë pozitë e mbajti deri në vdekjen e tij.
Vokrri e shtroi rrugën për suksesin e treguar në Ligën e Kombeve, ku Kosova u promovua nga Liga D në Ligën C dhe e siguroi një vend në play-offs për kualifikime në Kampionatin Evropian. Falë punës së tij në FFK, Kosova u anëtarësua në UEFA dhe në FIFA në maj të vitit 2016.







