FFK-ja i përgjigjet Gjuriqit, që tha se Kosova duhet të “fluturojë” nga UEFA e FIFA

Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, e ka cilësuar deklaratën e shefit të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriqit, qesharake, duke shtuar se FFK-ja është e barbartë me Federata si ajo e Gjermanisë dhe e Francës në UEFA e FIFA.

Ndeshja e planifikuar të zhvillohet sot në orën 15:00 mes klubit serb nga Kosova, Trepçës, dhe Crvena Zvezdas në territorin e Kosovës dështoi, pasi që Policia e vendosur në Jarinë nuk i lejoi serbët të futen në territorin kosovar.

Federata e Futbollit e Kosovës kishte lajmëruar se ndeshja nuk do të zhvillohet dhe për këtë gjë kishte kërkuar ndihmë nga Policia e Kosovës, e cila e kishte detyrën për t’i ndalur futbollistë serbë të hyjnë në territorin e Kosovës.

FFK-ja e ka kundërshtuar pjesëmarrjen e klubeve serbe nga Kosova në garat e Serbisë, duke insistuar se vetëm ajo ka të drejtë të organizojë gara në territorin e Kosovës dhe për këtë tentim të Serbisë për të ndërhyrë në territorin kosovar është ankuar edhe në UEFA e FIFA.

Insistimi i FFK-së për të mos e lejuar zhvillimin e kësaj ndeshjeje mbështetet edhe nga statutet e UEFA dhe FIFA-s, përkundër pretendimeve të Marko Gjuriqit.

“Prishtina i ka goditur themelet e futbollit evropian dhe sportit botëror me këtë veprim agresiv politik. Ata duhet të “fluturojnë” nga UEFA dhe FIFA, ku s’duhet të kishin qenë fare”, u shpreh Gjuriqi.

I pyetur nga Gazeta Express për këto deklarata të Gjuriqit, Agemi Ademi insistoi se ai nuk dëshiron t’i komentojë deklaratat e tilla qesharake dhe shtoi se ai i është mirënjohës UEFA-s dhe FIFA-s.

“Unë nuk do të dëshiroja t’i komentet deklaratat e tilla politike nga asnjë person. Ne e kemi lajmëruar rastin në UEFA dhe FIFA dhe u kemi shkruar letra zyrtarisht për këto ndeshje”, ka thënë Ademi për Gazetën Express.

“Është qesharake që ai të thotë se ne duhet të flutrojmë nga UEFA dhe FIFA, pasi që ne jemi anëtarë të barabartë. Në fakt, FFK-ja i është shumë mirënjohës UEFA-s e FIFA-s për trajtimin që na i kanë bërë deri tani”.

Përderisa Marko Gjuriq sugjeroi se Kosova duhet të përjashtohet nga dy shtëpitë e futbollit, UEFA dhe FIFA, mund të jetë pikërisht Federata e Futbollit e Serbisë ajo që përballet me një ndëshkim të tillë.

Në statutin e UEFA-s, që është përditësuar për herë të fundit në shkurt të vitit 2018, thuhet: “Anëtarësimi në UEFA i mundësohet Federatave të futbollit të pozicionuara në kontinentin e Evropës, në një vend që njihet si shtet i pavarur nga shumica e anëtarëve të Kombeve të Bashkuara, dhe që janë përgjegjëse për organizimin dhe implementimin e çështjeve të lidhura me futbollin në territorin e vendit të tyre”.

Pasi që Serbia po organizon gara jashtë territorit të vet, përkatësisht në veri të Kosovës, UEFA mund edhe ta përjashtojë apo ta pezullojë Federatën Serbe të Futbollit. Në pikën e tretë të artikullit të tetë të Statutit të UEFA-s thuhet se një Federatë mund të përjashtohet nëse i shkel statutet apo rregullat e këtij organi qeverisës të futbollit.

Vendimi për përjashtimin e një Federate të Futbollit nga UEFA duhet të vendoset në Kongresin e këtij organi. Përjashtimi duhet të mbështetet nga ¾ ose më shumë anëtarë të Kongresit dhe të pranishëm duhet të jenë të paktën gjysma e anëtareve të UEFA-s.

Përveç përjashtimit nga UEFA, Serbia mund të marrë paralajmërim, vërejtje, gjobë, t’i ndalen fondet nga UEFA, të përjashtohet nga garat e organizuara nga UEFA ose t’i merret licenca.

“Ne trajtohemi si anëtarë të barabartë edhe me Federatat më të fuqishme në botë, si Gjermania, Franca e Anglia. Jemi 55 anëtarë të barabartë. I takon UEFA-s të marrë vendim për ta dënuar ose jo Serbinë për këto incidente të fundit”, shtoi Ademi.

Më 1 gusht të këtij viti, Federata e Futbollit e Kosovës bëri të ditur se, përmes një letre, u ka kërkuar UEFA-s dhe FIFA-s të marrin masa ndaj Serbisë – Federata e Futbollit e së cilës po organizon gara të futbollit në territorin e Kosovës. Deri më tani, UEFA nuk ka reaguar.

loading…