Shumë tifozë të Interit nga Kosova u mblodhën në Prishtinë fundjavën e kaluar për ta festuar së bashku titullin e parë të klubit të zemrës së tyre në Serie A pas shumë viteve.  

Inter u shpall kampion i Italisë për herë të 19-të në historinë e klubit më 2 maj – katër javë para përfundimit të sezonit në Serie A – duke i dhënë fund një mbizotërimi të gjatë nëntëvjeçar të Juventusit, raporton Gazeta Express.

Skuadra e Antonio Contes – i cili tashmë i ka ndarë rrugët me klubin – i dha vule një sezoni të mrekullueshëm në ligë duke e mundur 5:1 Udinesen të dielën e 23 majit dhe njëkohësisht duke ua bërë edhe më të mrekullueshme festën tifozëve kosovarë të mbledhur në një kafene të kryeqytetit për të festuar.

Dhjetëra tifozë të Interit nga Prishtina dhe qytete të tjera të vendit u bashkuan për ta të festuar dhe për ta përcjellë së bashku ndeshjen e fundit të klubit të tyre në ligë të dielën e kaluar.

Ata e festuan fitoren kundër Udineses dhe pastaj edhe ceremoninë e ngritjes së trofeut të kampionit të Italisë, të cilin kishin 11 vjet që e prisnin.  

Interi e mbyll sezonin me 91 pikë, 28 fitore, 7 barazime dhe vetëm 3 humbje.

Ky është titulli i parë i Interit që prej sezonit 2009/10, kur e kishte fituar për herë të fundit nën udhëheqjen e Jose Mourinhos.

Interi i njeh zyrtarisht tifozët e vet në Kosovë, përmes Inter Club Kosova, klubit zyrtar të tifozëve zikaltër në vend.