Feronikeli të mërkurën luan ndeshjen e parë e cila është e vlefshme për raundin e dytë në Ligën e Evropës ku do të përballet në Sllovaki me Slovan Bratislavën.

Kampionët e Kosovës kanë udhëtuar të hënën drejt Bratislavës, derisa të martën do të zhvillojnë stërvitjen e fundit para ndeshjes që luhet të mërkurën me fillim në orën 18:00.

Skuadra nga Drenasi pas eliminimit nga uellsianët e TNS në Ligën e Kampionëve do të ketë një test shumë të vështirë edhe në Ligën e Evropës pasi që përballet me kampionët e shumëfishtë të Sllovakisë.

Megjithatë të zgjedhurit e Zekerija Ramadanit nuk kanë udhëtuar vetëm sa për turizëm në Sllovaki dhe do të bëjnë të pamundurën që të nxjerrin një rezultat të favorshëm para ndeshjes kthyese në Prishtinë.

Feronikelin në Bratislavë, përveçse e pret një përballje shumë e fortë, e pret edhe një klimë aspak miqësore nga tifozeria vendëse. Kështu të paktën kanë paralajmëruar tifozët e Slovan Bratislavës të cilët njihen si pro serbë dhe kanë bërë të ditur se do të bëjnë gjithçka që Feronikeli të ndihet sikur po luan në Serbi.

Megjithatë atmosfera në stadiumin “”New Slovakia” mund të jetë motivuese për të zgjedhurit e Zekerija Ramadanit për të cilët nëse e kalojnë këtë raund do të ishte diçka e jashtëzakonshme. Ndeshja e kthimit luhet më 30 korrik në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Ndërkohë futbollistët serbë Aleksander Cavric dhe Dejan Drazic, si dhe trajneri Vladimir Radenkovic, pas kërkesës nga komuniteti serb, kanë vendosur që të mos luajnë sfidën e sotme.

Të tre këta persona kanë pranuar kërkesën dhe kanë njoftuar drejtuesit e klubit sllovak, se nuk do të jenë të gatshëm për ndeshjen me Feronikelin, ndërsa lajmi është konfirmuar nga vetë Slovan Bratislava, që ka pranuar verdiktin e serbëve.