Feronikeli, Prishtina dhe Drita kërkojnë vazhdimësi në ligë

Nuk ka derbi të mëdhenj në xhiron e 14-të të IPKO Superligës në futboll, në këtë fundjavë.

Lideri, Feronikeli do të jetë mysafir i Ballkanit në Suharekë, në përballjen që do të zhvillohet nga ora 13:30.

“Nikli” që vjen pas fitores, në derbin rajonal ndaj Drenicës, kërkon pikë të plota për ta ruajtur pozitën e parë, transmeton KTV.

Në anën tjetër, Ballkani që befasoi Llapin në Podujevë, po kalon formë të mirë ku ka 3 fitore në 3 ndeshjet e fundit dhe do të mundohet ta befasojë edhe liderin.

Kjo është ndeshja e dytë e sezonit ndërmjet këtyre dy skuadrave, me Niklin që nisi serinë e fitoreve pikërisht kundër Ballkanit, në xhiron e tretë.

Në po të njëjtën ditë, luan edhe Prishtina e cila është vetëm dy pikë larg Niklit.

Bardhekaltrit luajnë ndaj Drenicës në Skenderaj, që tradicionalisht në vitet e fundit i ka bërë probleme Prishtinës. Dy humbje kjo skuadër ia kishte shkaktuar Prishtinës edicionin e kaluar, por në përballjen e aprë të këtij sezoni, bardhekaltrit fituan 1:0 në kryeqytet.

Prishtina është në formë fantastike me 5 fitore në 5 ndeshjet e fundit, derisa Drenica hyn në këtë takim me dy humbje rresht.

KEK-u – Flamurtari është dueli tjetër i së shtunës. “Elektricistët” në 12 ndeshje kanë vetëm 1 barazim dhe do të jenë nikoqirë të Flamurtarit, që deri më tani është befasia më e madhe e Superligës, por që po përballet me krizë financiare e ku gjatë kësaj jave kishte edhe bojkot të lojtarëve, për shkak të mosmarrjes së më shumë se 2 pagave.

Të dielën në program janë edhe tri ndeshje të tjera.

Në Gjilan, Drita e pret Lirinë e Prizrenit. Kampionia ka hyrë në seri të fitoreve dhe kërkon triumfin e gjashtë rresht përballë prizrenasve që po kalojnë nëpër një krizë të thellë të rezultateve.

Ferizaj – Llapi është ndeshja tjetër e së dielës. Ferizaj vjen pas barazimit me Lirinë në Prizren, kurse Llapi pas humbjes në shtëpi nga Ballkani.

Ndeshja e fundit është ndërmjet Trepçës 89 dhe Gjilanit.

89shin, pas dorëheqjes së Gugash Maganit, do ta drejtojë Sabit Osmani, i cili ka qenë ndihmës i Maganit. “Minatorët” vijnë pas disfatës nga Prishtina 2:0, kurse gjilanasit mposhtën KEK-un 2:0.

Të gjitha ndeshjet e xhiros së 14-të do të nisin nga ora 13:00.