Skuadra gjysmë-profesioniste nga Malta, Gzira United, bëri mbrëmë sensacionin e madh duke eliminuar Hajdukun e Splitit në Kroaci.
Pas humbjes në shtëpi 0-2, Gzira fitoi në udhëtim 1-3 për t’u kualifikuar në raundin e dytë kualifikues në Ligën e Evropës.
Sigurisht vendimtar dhe hero i mysafirëve ishte Hamed Kone, ish sulmuesi i Feronikelit.
Ai shënoi dy gola, që të dy shumë të bukur. Ai e realizoi të parin me rofeshatë dhe të dytin me një goditje shumë precize.
Kone u largua nga Feronikeli pasi që trajneri Zekirija Ramadani nuk i dha hapësira në formacion.
Sipas Ramadanit, Kone nuk ishte mirë as fizikisht e as psiqikisht.
“Unë kam zgjedhur futbollistët më të mirë dhe Kone nuk është në nivelin e duhur në aspektin fizik, por ka rënë shumë edhe në atë psikologjik, ndoshta edhe për fajin tonë, por duhet pranuar se kishte konkurrencë të fortë”, kishte thënë trajneri i Niklit.







