Feronikeli mposht Llapin, në xhiron e fundit zhvillohet finalja e zjarrtë ndaj Prishtinës

Feronikeli e ka fituar ndeshjen e parafundit sezonale përballë njërit prej rivalëve të deritanishëm për titull, Llapit. Në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, mysafirët fituan me rezultat 3-1.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 18-të të takimit, me golin e Arbër Prekazit të realizuar me kokë, i cili e kaloi skuadrën vizitore në avantazh.

Nuk zgjati shumë dhe vendasit e barazuan rezultatin përmes Festim Alidemës, i cili shënoi nga penalltia (21′).

Dhjetë minuta brenda pjesës së dytë, mysafirët e rikthyen epërsinë me golin e shënuar nga Mendurim Hoti (55′).

Kastriot Rexha u kujdes për golin e sigurisë duke shënuar me kokë pas harkimit nga Ylli Hoxha (62′).

Me këtë fitore, Feronikeli mban kreun e tabelës me dy pikë më shumë se Prishtina që në këtë xhiro e mposhti Trepçën ’89.

Llapi tashmë është edhe matematikisht jashtë garës për titull në edicionin e sivjetmë, ndërsa ndeshjen e fundit e zhvillon si mysafir i Flamurtarit.

Në javën e fundit të sezonit 2018/2019 në Ipko Superligën e Kosovës në futboll na pret një finale e madhe, pasi në Drenas përballen dy rivalët e drejtpërdrejtë për titull, Feronikeli dhe Prishtina.

Nikli mund të shpallet kampion edhe me barazim, ndërsa bardhekaltrit duhet ta fitojnë me çdo kusht ndeshjen.