Feronikeli ankohet në referim, thotë gjyqtari i mori “tri pikë me vete”

Feronikeli është ankuar në referimin në ndeshjen e sotme kundër Dritës. Klubi ka thënë se referi i ka kushtuar me humbjen e tri pikëve.

Feronikeli barazoi 1:1 në Gjilan me Dritën, në xhiron e 14-të të Superligës.

Feronikelit iu anulua një gol për pozitë jashtëloje.

“Drita – Feronikeli, përfundoi baras, megjithatë fituan gjyqtarët por humbi futbolli kosovar. Anulohet goli i pastër për pozitë jashtë loje që nuk ekzistoi. Nuk akordohet penalti për prekje me dorë brenda zonës. Ndëshkime të panumërta me kartonë, ndër ta edhe një i kuq. E shumë e shumë incidente tjera, që prishën futbollin, që turpëruan Supërligën, e që bënë që të vjellin qindra mijëra adhurues të futbollit. Burim Jahmurataj, Edmond Zeqiri e Fatmir Sekiraqa, së bashku me gjyqtarin e katërt (komplet inekzistent) Visar Kastrati, arkëtuan tri pikët e plota, të marrura nga djersa e futbollistëve tanë që derdhin në fushë, e djersa e donatorëve që japin shumë për futbollin. Mjafton ti shohësh veturat e pallatet e gjyqtarëve kosovar, për të kuptuar se si ndodhin këto “gabime njerëzore”. Nuk është hera e parë dhe nuk është vetëm klubi i Feronikelit që dëmtohet nga gjyqtarë që favorizohen nga FFK, me në krye, Agim Ademin. Kjo është e tepërt, është e turpshme dhe jashtëzakonisht e dëmshme për futbollin e Kosovës. Përveç ankesës në FFK, Feronikeli do të dërgojë ankesë edhe në UEFA, ashtu siç dorëzuam ankesën për KFF Feronikeli. Gjyqtarët e ndeshjes i paralajmërojmë që ky është vetëm fillimi i FC Feronikelit, pasi që ndeshje të tilla nuk do të ketë më. As edhe një! Kurrë!!!” – thuhet në reagimin e Feronikelit.