Ferizaj skuadra që po demanton të gjithë, Fazliu tregon çka po ndodh aty

Me të përfunduar stinori vjeshtor në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll, të gjithë ishin të bindur që Ferizaj tashmë është skuadër që nuk mund të mbijetojë. Madje kishte zëra se Ferizaj edhe do ta prish garën pasi në pranverë do të jetë ekip i dorëzuar shkruan Demokracia.com.

Megjithatë në 4 javët e para po ndodh diçka krejt tjetër, dy fitore dhe dy barazime bën që Ferizaj t’i shmanget vendit të fundit në tabelë dhe tash është i parafundit me 21 pikë të tubuar.

Ferizaj është shndërruar në një ekip tejet të fortë dhe këtë më se miri mund ta dëshmojnë Prishtina e Drita që i mposhti duke u marrë pikë të plota.

Sulmuesi me përvojë, Astrit Fazliu në një bisedë për Demokracia.com ka treguar atmosferën që po mbretëron në ekip dhe pritshmëritë e tyre në pranverë.

“Realisht kemi bërë diçka që askush nuk e ka pritur. Një fillim mbreslënes por jemi te vetëdijshëm se nuk ka perfunduar asgjë dhe ka ende shumë punë për t’u bërë deri në fund”, ka thënë të mërkurën Fazliu.

Gjithsesi, pa një atmosferë të mirë këto rezultate as nuk do të mendoheshin, por atmosferën e mirë e krijojnë financat stabile. Ferizaj tash për tash njihet si njëra ndër skuadrat më korrekte sa i përket pagave, dhe se lojtarët të gjithë fokusin e kanë  vetëm tek puna.

“Atmosfera është shumë e mirë. Po mundohemi secili të japim atomin e fundit që të arrijmë objektivin tonë -mbetjen në Superlig. Nëse arrijmë të mbajmë këtë ritëm, them se nuk do të jetë problem mbetja në Superligë”, ka përfunduar Fazliu.

Ndeshjen e radhës Ferizaj e luan si mysafirë në Skenderaj ndaj Drenicës, rival ky direkt për mbijetesë dhe nëse aty merr pikë, atëherë Ferizaj do të bëjë një hap të madh drejt mbijetesës.