Pas Prishtinës, Tiranës, Hagës dhe Strasburgut, marshi “Për Drejtësi” do të vazhdojë në Shkup. Deputeti Ferat Shala ka bërë të ditur se më 13 dhjetor në Sheshin “Skënderbeu” do të mbahet një tubim i madh në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-krerëve të saj që po gjykohen në Hagë.

Shala tha se ky marsh ka për qëllim të mbrojë “dinjitetin, vlerat dhe drejtësinë” për UÇK-në, duke ftuar qytetarët të bashkohen në këtë ngjarje, ashtu siç kanë bërë edhe në marshimet e mëparshme në kryeqytete të tjera.

Sipas tij, pjesëmarrësit do të marshojnë në mbështetje të ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, ish-kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.

Organizatorët presin pjesëmarrje të madhe, ndërsa mesazhi vazhdon të jetë ai i kërkesës për drejtësi të drejtë dhe të paanshme për të akuzuarit dhe për vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.