Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së me numër 16, Ferat Shala, ka reaguar ashpër lidhur me politikat energjetike të Qeverisë Kurti, duke ngritur shqetësime serioze për mënyrën se si janë shpenzuar fondet publike gjatë këtij mandati.

Përmes një postimi, Shala ka deklaruar se mbi 1 miliard euro janë shpenzuar për import të energjisë elektrike gjatë mandatit qeverisës, duke e cilësuar këtë si një barrë të rëndë për qytetarët e Kosovës.

Sipas tij, këto mjete financiare, të mbledhura nga taksat e qytetarëve, kanë përfunduar në llogaritë e asaj që ai e quan “mafia energjetike”, një strukturë që, sipas Shalës, është e lidhur ngushtë me Qeverinë Kurti.

“Paratë e qytetarëve po përdoren për interesa të errëta dhe jo për zhvillimin e sektorit energjetik të vendit,” ka theksuar Shala, duke kërkuar llogaridhënie, transparencë dhe përgjegjësi për këto shpenzime marramendëse.

Ai ka shtuar se politika e dështuar energjetike po e rëndon jetën e qytetarëve, duke sjellë çmime të larta, pasiguri në furnizim dhe humbje të mëdha buxhetore, ndërkohë që vendi vazhdon të mbetet i varur nga importi.

Shala ka bërë thirrje për ndryshim të qeverisjes dhe reformë të thellë në sektorin e energjisë, duke theksuar se Kosova ka potencial të madh për prodhim vendor, por mungon vullneti dhe menaxhimi i ndershëm.