Vetëvendosje

Fëmijët nga komunitetet u lanë anash gjatë Festës së Abetares, reagon Vetëvendosje

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka reaguar për rastin e djeshëm ku disa nxënës të komuniteteve joshumicë u lanë në një hapësirë të veçantë në Festën e Abetares në Karagaç të Pejës.

Vetëvendosje tha se veprimet e tilla janë të papranueshme dhe përbëjnë shkelje të ligjit. Për më tepër, kjo parti thotë se kjo ngjarje është e turpshme, derisa tha se është prapa zotimit të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, që kjo çështje do të shqyrtohet qysh sot në DKA-të e Pejës.

“Jo Segregacionit! Çdo veçim, dallim, përjashtim, kufizim ose preferencë në çfarëdo baze tjetër, në çfarëdo rrethane i nxënëseve në hapësira shkollore, është absolutisht i papranueshëm, kundërkushtetues i jashtëligjshëm dhe i dënueshëm. Ngjarja si kjo e djeshme në Pejë, ku fëmijët romë, ashkalinj dhe egjiptianë në “Festën e Abetares” u veçuan nga pjesa tjetër e fëmijëve, është ngjarje e turpshme dhe nuk i duhet dhënë as më të voglën mundësi që të mund të përsëritet prapë. Segregimi është i patolerueshëm dhe i ndëshkueshëm”.

Vetëvendosje thotë se parimi i mosdiskriminimit është bazë parimore dhe programore e politikave dhe veprimeve të tyre në vazhdimësi andaj “duhet respektuar dhe jetësuar në të gjitha nivelet”.

Për këtë rast, drejtori i shkollës ka thënë se nxënësit që ishin lënë ndaras të festonin ishin të moshave më të rritura dhe jo të klasës së parë.

Ky rast ka shkaktuar reagime të shumta edhe te institucionet edhe te qytetarët.