Roger Federer ka bërë të ditur se beson se kishte 3 për qind mundësi ta mposhte Novak Djokovicin në përballjen e tyre në gjysmëfinale të Australian Open dhe e përshkroi këtë ndeshje si të tmerrshme.

Novak Djokovic e zuri një vend në finalen e madhe të Australian Open, në tentim për ta mbrojtur titullin e kampionit të këtij turneu, pasi arriti ta mposhtë Roger Federerin në tre sete, 7-6 (1), 6-4, 6-3, të enjten, transmeton Gazeta Express.

Tenisti serb, i radhitur i dyti në ranglistën botërore, i mbijetoi një starti të mirë nga i treti në botë, Federer, në një set të parë tejet argëtues.

Disfata në setin e parë ishte një goditje e madhe për Federerin, i cili po vuante edhe nga një lëndim në ije. Dy setet e radhës, Djokovici i fitoi me më lehtësi.

Legjenda zvicerane u duk më i lodhur në setin e tretë dhe kampioni në fuqi i Australian Open e mori në kontroll lojën. Djokovici e mbylli fitoren në dy orë e 18 minuta në Rod Laver Arena.

“Është gjithmonë e vështirë kur ke vetëm 3 për qind mundësi të fitosh, por edhe kaq është më mirë sesa të mos kesh fare. Ishte e tmerrshme, të kalosh nëpër atë që kalova unë”, ka thënë Federer.

“Hyrje e mirë, largim i mirë. Ajo që  ndodhi mes këtyre duhet të harrohet sepse ti e di se ke 3 për qind mundësi ë fitosh. Djokovici ishte lojtari më i mirë, pa asnjë dyshim”.

Djokovic do të përballet ose me Dominic Thiem, ose me Alexander Zverev në finalen e madhe të së dielës, kur do të tentojë ta fitojë për herë të tetë titullin në Melbourne Park.