Mirco Casorelli

Federata zvicerane denoncon “tiktokerin” që përqesh Xhakën e Shaqirin

“Tiktokeri” Mirco Casorelli ka bërë goxha përcjellës në Zvicër duke përqeshur lojtarët dhe drejtuesit e përfaqësueses helvetike. Por Casorelli tashmë është denoncuar nga federata zvicerane e futbollit për racizëm. Këtë e ka bërë të ditur “Blick” të hënën.

Ai ka përqeshur lojtarët dhe trajnerët që nuk e këndojnë himnin e Zvicrës pa nisur ndeshjet.

Në korrik të vitit të kaluar federata ka kërkuar nga policia e kantonit të Bernit që të fillojë hetime ndaj Casorellit.

“Secili mund të vlerësoi nëse këndimi i himnit është mirë apo jo. Humori dhe parodia megjithatë përfundon kur dinjiteti i personit shkelet apo kur njerëzit turpërohen. Në këtë rast autori ofendon dhe poshtëron lojtarët tanë, familjet e të cilëve kanë të kaluar migruese. Ky është racizëm dhe ne në federatë nuk do ta lejojmë në asnjë rrethanë, në futboll e askund tjetër në shoqëri”, ka thënë Adrian Arnold, drejtor i komunikimit në federatën zvicerane.

Sipas Blick, ishin Xhaka, Shaqiri dhe lojtarët tjerë që kërkuan masa ndaj autorit të videove fyese.

Casorelli ka pranuar një email nga policia, por nuk është shprehur i brengosur.