FC Prishtina prezenton “bomberin”, Besart Berisha

Kampionia e Kosovës në futboll, Prishtina, ka prezantuar sulmuesin e njohur Besart Berisha. Në prezantim, sulmuesi më i mirë në histori të Superligës së Australisë, ka thënë se ka pasur dëshirën për të ardhur në Kosovë në dy vitet e fundit, por ka thënë se këtë e vështirësoi pandemia.

“Prishtina është klubi më i madh. E kam përcjellë gjithmonë. Kam pasur kontakt me këtë klub dhe jam i lumtur që kam ardhur dhe mezi pres t’i bashkohem skuadrës, stafit të trajnerëve e bashkëlojtarëve. Si futbollist i kam marrë sfidat me punë e njëjtë do të jetë edhe këtu. Dëshira ime ka qenë të luaj për Prishtinën dhe kampionati i Kosovës ka ndryshuar shumë. Shpresoj t’i ndihmoj klubit dhe lojtarëve të rinj”, ka thënë ai në prezantim.

Është përfolur për pagë të majme te Prishtina, por Berisha ka thënë se qëllimi i tij ka qenë vetëm që të luajë “aty ku ka lindur”.

Po ashtu ka thënë se arsye tjetër për ardhjen e tij në Prishtinë ka qenë tifogrupi “Plisat”.