FC Prishtina niset për në Shqipëri, e gatshme për sfidat e Championsit

FC Prishtina e ka bërë sot testimin e fundit për COVID-19 para nisjes për në Shqipëri. Bardhekaltrit e falënderuan laboratorin “EuroLab” ku e bënë testimin e fundit në Kosovë. Ata do të luajnë në Ligën e Kampionëve më 22 qershor

FC Prishtina e ka marrë sot rrugën Shqipërisë, ku do ta zhvillojë fazën parakualifikuese të Champions League. Bardhekaltrit para nisjes e kanë bërë edhe një testim për COVID-19,. Një gjë të tillë, ata e kanë bërë në laboratorin “EuroLab”, me ç’rast klubi prishtinas e ka falënderuar këtë të fundit pas testimeve të bëra.

Tash, kampioni i Kosovës do të karantinohet që nga sot në Tiranë, ku do të vendoset dhe do të ushtrojë disa ditë para duelit që do ta ketë në gjysmëfinale të fazës parakualifikuese të Championsit ndaj ekipit Folgores. Prishtina do të luajë më 22 qershor, ndërsa nëse shkon në finale, do të luante përsëri më 25 qershor, në kërkim të fazës së parë të Ligës së Kampionëve.

Prishtinasit së fundmi e zhvilluan një ndeshje miqësore kontrolluese kundër ekipit shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Shkëndija, me të cilën kanë raporte vëllazërore. Xhevdet Shabani debutoi në fanellën e Prishtinës me dy gola dhe ish-futbollisti i Dritës pritet të japë kontribut të madh tek kryeqytetasit në garat evropiane. Kjo do të jetë hera e parë që Prishtina do të luajë në Ligën e Kampionëve, pasi mori pjesë disa herë në Europa League. /Gazeta Express/