Klubi më i madh i futbollit të Kosovës, FC Prishtina, është në proces të anëtarësimit në Asociacionin e Klubeve të Evropës.
Kryetari klubit bardh e kaltër, Remzi Ejupi, sot e ka pritur në takim Olivier Jarosz – shefin e punëve të klubeve të “European Club Association”, i themeluar më 2008 nga Andrea Agnelli, pronar i Juventusit. ECA është pasardhëse e ish grupit të klubeve, e njohur si G-14.
“ECA” ka mbi 232 klube në ombrellën e saj, kryesisht klubet më të mëdha nga çdo shtet evropian, njofton FC Prishtina.
Në takim u fol për mënyrën e bashkëpunimit, për detyrimet e asociacionit në fjalë karshi klubeve dhe anasjelltas.
Thjesht edhe një përvojë tjetër e madhe, sidomos në aspektin organizativ të klubeve dhe legjislacioneve juridike të sportit në federatat e shteteve evropiane dhe programeve të ndryshme të bashkëpunimit.
FC Prishtina do të jetë së shpejti anëtare e grupimit më të madh të asociacioneve të klubeve në Evropë.







