Familja Gjici ka hequr dorë nga klubi verilindor F.K Kukësi këtë të martë. Sipas SuperSport është arritur një marrëveshje ku familja Gjici i ka shitur të gjitha aksionet dy personave.
Pronarët e rinj të klubit të futbollit janë një i huaj nga Letonia dhe një shqiptar, identitetet e të cilëve nuk janë bërë ende të ditura. Gjithashtu mësohet se drejtor teknik i klubit verilindor pritet të emërohet ish-mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Renato Arapi, ndërsa drejtori sportiv do të vijë nga Letonia.
Pronarët e rinj kanë tashmë 100% të aksioneve, teksa zyrtarizimi i marrëveshjes së kalimit të pronësisë pritet të bëhet më 10 gusht. Marrëveshja për shitjen e aksioneve do të nisë një epokë të re, këtë herë pa familjen Gjici.
Këtë sezon Kukësi do të garojë në Kategorinë e Parë, teksa ambicia e pronarëve të rinj është që ta rikthejnë sërish në elitën e futbollit shqiptar. Nën drejtimin e Safet Gjicit, Kukësi përjetoi një periudhë të artë në futbollin shqiptar, duke fituar trofe dhe duke garuar disa herë në turet eliminatore të kompeticioneve europiane.







