FBK-ja thotë se është e pa lëkundur në qëndrimin kundër dhunës në sport

Federata e Basketbollit e Kosovës ka thënë se do të jetë e palëkundur në qëndrimin e saj kundër çfarëdo forme të dhunës në sport, pas përleshjes që ndodhi në ndeshjen e pestë gjysmëfinale të play-offit në Superligën e Kosovës, mes Ponte Prizrenit dhe Pejës.

Komisioni i Garave vendosi që Peja të merrte fitoren në tavolinë, duke shkuar në epërsi 3:2 për të arritur finalen e madhe. Pas këtij vendimi nga Prizreni pati reagime të ashpra, ndërsa së fundmi këtij klubi iu largua edhe sponsori kryesor.

Në një reagim të ri, FBK-ja ka thënë se është e shqetësuar për incidentin që ka ndodhur të martën, teksa i ka quajtur të papranueshme skenat e dhunës.

Për vendimin e Komisarit të Garave, FBK-ja ka thënë se për vlerësim janë analizuar incizime shtesë që s’janë shfaqur në publik.

“Është për të ardhur keq që në një stinor të përkryer sportiv, në të cilin kemi parë nivelin më të lartë të konkurrueshmërisë mes skuadrave pjesëmarrëse në Superligë në historinë e saj dhe në të cilin kemi qenë dëshmitarë të një shpërthimi të serishëm të basketbollit dhe shikueshmërisë së tij, ekipi lider i pjesës së rregullt të kampionatit duhet të privohet nga mundësia për finalen me madhe për shkak të reagimit të pamatur të disa individëve të papërgjegjshëm që cenuan terrenin jo më shumë se njëzet minuta para përfundimit të ciklit gjysmëfinal”, thuhet në njoftimin e kryetarit të FBK-së, Arben Fetahu.

“Federata e Basketbollit e Kosovës është inkurajuar nga fakti që autoritetet policore dhe prokuroriale kanë ndërmarrë të gjithë hapat e duhur për të adresuar dhunën e shfaqur brenda palestrave tona, që ka rezultuar me identifikimin, procedimin penal dhe vendosjen nën mbajtje policore të disa akterëve të kësaj ngjarjeje të papranueshme, si masë e cila do t’i kontribuojë parandalimit të dhunës në terrenet e basketbollit. Federata e Basketbollit e Kosovës me këtë rast përsërit qëndrimin e saj të palëkundur kundër çfarëdo forme të dhunës në sport dhe konfirmon se para stinorit të ardhshëm do të konsolidojë edhe më tej bazën e akteve të veta normative për të qenë edhe më strikt në të gjitha rastet e shfaqjes së dhunës dhe do të institucionalizojë bashkëpunimin me organet kompetente të ndjekjes penale, për t’u siguruar që asnjë person që ushtron dhunë në terrenet e basketbollit të mos kalojë i pandëshkuar”, thuhet në fund të njoftimit.