Eric Adams

FBI sekuestroi telefonat e kryetarit të New Yorkut, po heton bashkëpunimin me Turqinë

Agjentët e FBI-së kanë sekuestruar telefonat dhe pajisjet elektronike të kryetarit të qyteti të New Yorkut, Eric Adams, si pjesë e një hetimi federal për financimin e fushatës së tij.

Konfiskimet lidhen me një hetim korrupsioni për të përcaktuar nëse Adams ka bashkëpunuar me qeverinë dhe shtetasit turq në fushatën për kryetarin e New Yorkut në vitin 2021.

“Të hënën në mbrëmje, FBI iu afrua pas një ngjarjeje kryebashkiakut. Ai iu përgjigj menjëherë kërkesës së FBI-së dhe i ktheu pajisjet elektronike”, tha Boyd Johnson, avokati i kryetarit ndërsa shtoi se “ai nuk është akuzuar për asnjë vepër penale dhe vazhdon të bashkëpunojë me autoritetet”, shkruan ft.

Hetimi federal për fushatën e Adams u bë publik javën e kaluar kur agjentët e FBI bastisën shtëpinë e grumbullueses së fondeve të fushatës së tij, 25-vjeçares Brianna Suggs, ku sekuestruan kompjuterë, telefona celularë dhe një dosje me emrin “Eric Adams”.

Javën e kaluar, pas kërkimit, kryebashkiaku u largua papritur nga Uashingtoni, ku ishte planifikuar të takohej me udhëheqësit e Shtëpisë së Bardhë dhe të Kongresit amerikan në lidhje me fluksin e madh të emigrantëve në qytetin e New Yorkut.

Adams tha në deklaratën për shtyp se nuk ka asgjë për të fshehur dhe se do të vazhdojë të bashkëpunojë me autoritetet hetimore.

New York Times shkruan se kontrolli i shtëpisë së Suggs kishte për synim gjetjen e dëshmive të një marrëveshjeje sekrete që përfshinte stafin e fushatës së kryebashkiakut, qeverinë turke dhe një kompani ndërtimi në pronësi turke në Brooklyn.

Hetimi synon të përcaktojë nëse donacionet nga qeveria turke dhe qytetarët turq i janë paguar Adams përmes një sistemi në të cilin kishte donatorë të rremë.