Fazliu: Komandanti i stacionit me tha “çka hamomin po lyp në Prizren”!

Anëtari i kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faik Fazliu, është arrestuar mbrëmjen e së shtunës në një lokal në Prizren. Fazliu është edhe invalid i Luftës së UÇK-së.

Fazliu në një rrëfim për RTK-në ka treguar në detaje se si ka ndodhur ngjarja në Prizren.

“Nuk e kam ditur as kur me kanë dërguar në stacion e as kur me ka sulmuar. Unë absolutisht nuk e kam bërë as kërcënimin më të vogël për policët. Polici ka kërkuar të mbyllet lokali dhe ne e kemi liruar. Dhe duke dalë, unë kam qenë duke folur me dikë nga stafi aty dhe në atë moment polici më është drejtuar me fjalët: Çka po kqyr, ec largohu”, ka treguar në fillim Fazliu.

Tutje ai ka thënë se polici që e ka sulmuar e dinte që nuk mundet të ecë më shpejt për të dalë nga lokali.

“…dhe i thash se duke ecë jam, duke dalë. Kaq kam folur unë, asnjë koment tjetër”.

“E di që më është afruar dhe më është kërcënuar me sjellje jo të një njeriut normal dhe me ka shtyrë pa asnjë paralajmërim dhe në atë moment s’kam mundur ta mbajë balancën dhe jam rrëzuar.Unë e njoh pronarin e lokalit, jemi miq, por nuk jam bashkëpronar. Edhe pse siç e kam kuptuar më vonë, disa nga policët aty kanë pasur për qëllim që të më vendosin në pozita të tilla. Unë në asnjë mënyrë nuk jam sjellë keq, kam qenë i qetë, siç shihet edhe në video”, ka sqaruar tutje ai.

Sipas tij, ai nuk ka refuzuar që të shkojë në stacionin policor.

“As nuk me kanë treguar pse po mi vendosin prangat edhe pse kam kërkuar sqarim, por ata as që kanë dashur të dëgjojnë. Kur kam shkuar në stacion kam kërkuar ndihmë mjekësore, dhe aty ata policët që me arrestuan me kanë kërcënuar edhe në prani të policëve tjerë, duke tentuar të më provokojnë dhe më pas njëri nga komandantët aty më është drejtuar me bërtima se çka po kërkon ti në Prizren dhe jo një herë, por tri herë “çka hamomin po kërkon në Prizren. Dhe u çudita kur e dëgjova kështu dhe e pyeta se a duhet të marrë leje për të shkuar në Prizren. Më pas e kuptova se ky grup i këtyre njerëzve me kanë njohur mua dhe e kanë ditë çka po bëjnë”, ka shtuar Fazliu.

Duke i komentuar deklaratat e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Fazliu përgjigjet kështu:

“Ata që janë sinonim i banditizmit dhe i gjërave të rrugaçërisë. Prandaj hedhin baltë mbi mua pas asnjë bazë dhe askush, qoftë edhe ministër, nuk mund ta merr rolin e prokurorit apo të gjyqtarit dhe të më gjykojë publikisht pa e ditur se çka ka ndodhur. Dhe s’mundet të më etiketojë me etiketa të ndryshme për qëllimet politike, sepse nuk merrem me politikë dhe nuk përfaqësojë asnjë parti. Unë jam veteran dhe qytetar i lirë I këtij vendi. Unë në gjakun tim, në gjenin tim e kam respektimin e uniformës së policisë”, tha ai.

Fazliu ka shtuar se ka bërë ankesë në Inspektoratin Policor të Kosovës dhe pret që policët që e sulmuan të marrin denimin e merituar.

“Kam bërë ankesë në IPK dhe ata i kanë të gjitha deklaratat dhe provat, por edhe dëshimtarët janë aty”.