Favoriti i ndeshjes Maqedonia e Veriut – Kosovë, sipas bastoreve

Bastoret kryesore botërore janë duke e favorizuar lehtësisht Maqedoninë e Veriut, në përballjen kualifikuese kundër Kosovës për Kampionatin Evropian 2020, e cila do të zhvillohet të enjten në Shkup.

Kosova është mysafire e Maqedonisë së Veriut në Arenën Kombëtare Todor Proeski, në një ndeshje gjysmëfinale të play-off’it për pjesëmarrje në Euro 2020 që mbahet verën e vitit të ardhshëm.

Shumica e shtëpive më të mëdha të basteve, përfshirë Bet-at-home, Bwin dhe Bet365, e shohin Maqedoninë e Veriut si favorite ndaj Kosovës, pasi i ka vënë kuotën 2.45 dhe 2.50 për të fituar,

Ndërsa fitores së mundshme të Kosovës i kanë vendosur kuotë më të lartë, 3.00.

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, përballet me shumë mungesa, përfshirë lojtarët kyçë si Vedat Muriqi, Milot Rashica, kapiteni Amir Rrahmani, Hekuran Kryeziu dhe Besar Halimi.

Atij do t’i duhet t’i mbulojë mungesat e mëdha edhe me lojtarë nga luajnë në pozita tjera.

Ndërkohë, shteti fqinj i ka vetëm dy mungesa në këtë takim, portieri Martin Bogatinov dhe ylli i Napolit, Elif Elmas.

Maqedonia është në formë më të mirë kohëve të fundit, pasi i ka tri fitore, një barazim dhe dy humbje në gjashtë ndeshjet e fundit.

Kosova, megjithatë, ka përjetuar rënie drastike në formë, duke i humbur katër nga gjashtë ndeshjet e fundit në të gjitha garat.