Faton Peci zbulon fjalët e para të Vjosa Osmanit pasi ishte shkarkuar nga pozitat në LDK

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, njëherësh edhe ish-këshilltar i Vjosa Osmanit, tregoi se çfarë i tha atij presidentja aktuale e vendit, pasi u shkarkua nga LDK’ja.

Peci ka thënë se Osmani në atë kohë i kishte thënë se nuk do të dorëzohet deri në fund. Ai këto deklarime i ka bërë në emisionin ‘dPt te Fidani’.

“…Faton, unë nuk dorëzohem edhe nëse do të më mbesin vetëm dy vota në nivel të krejt Kosovës”, tregon ministri i Qeverisë Kurti.

Në anën tjetër, ai ka folur edhe për koalicionin VV-Lista ‘Guxo’, për të cilin ka thënë se do të vazhdojë deri në fund të mandatit, teksa ka thënë se Osmani nuk do t’i bashkohet LDK’së.

“E padrejtë dhe diskutimet e tilla janë të pavërteta. Nuk ka marrëveshje për rikthim. Do të çojmë deri në fund koalicionin me VV-në. E kemi marrë votën për këtë dhe kështu do të veprojmë”, shtoi tutje Peci.

Ai ka bërë me dije edhe se Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do e udhëheqë Listën ‘Guxo’.

“Kemi kapacitete dhe njerëz me aftësi të mëdha. Do të mbajmë kuvendin e brendshëm për të përcaktuar të ardhmen por besoj që zonja Donika Gërvalla të jetë ajo që të na udhëheqë përpara”, tha më tutje ai.