Farsa e zgjedhjeve në LVV, Kurti çohet herët dhe voton për veten e fituesit tjerë që tashmë janë zgjedhur

Albin Kurti shkoi sot në mëngjes në shkollën fillore “Gjergj Fishta” në Prishtinë për të votuar për kryetarin e ri të Lëvizjes Vetëvendosje dhe për kryetarin e Qendrës së kësaj partie në Prishtinë.

Për kë votoi Kurti? Kjo dihet. Për këtë është vendosur më herët. Dhe ata të cilët i ka votuar sot Kurti, përfshirë veten për kryetar të LVV-së, do të fitojnë. Edhe kjo dihet pasi në katër strukturat kryesore brenda partisë ka vetëm nga një kandidat për udhëheqje, shkruan Gazeta Express.

“Mirëmëngjes të gjithëve. Sot është ditë e demokracisë në Lëvizjen Vetëvendosje, për shkak se kemi zgjedhje të brendshme dhe secili anëtar i subjektit tonë politik mund dhe duhet të dëgjohet”, tha Kurti të dielën para gazetarëve.

Por, çfarë do të thonë anëtarët është e qartë tashmë. Kjo është paracaktuar pasi në fletat e tyre të votimit është vetëm emri i Albin Kurtit për kryetar të partisë. Edhe për kryetaren e Grave për Vetëvendosje, anëtaret gra të LVV-së e kanë po ashtu vetëm një opsion: ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun.

Kryetar i Qendrës së LVV-së në Prishtinë do të jetë Arben Vitia, ish-ministër i Shëndetësisë. As anëtarët e LVV-së në kryeqendrën e partisë nuk kanë opsion tjetër për të votuar.

As anëtarët e rinj të LVV-së nuk e kanë më shumë se një opsion për ta zgjedhur kryetarin e Rinisë për Vetëvendosje. Behar Jashari është i vetmi kandidat.

Në shkollën “Mehmet Gjevori” në Prishtinë, shkoi për të votuar kandidatja për kryetare e Grave për Vetëvendosje, Albulena Haxhiu. Para se ta merrte fletën e votimit, një anëtare e partisë, pjesë e komisionit mbarëvajtës të zgjedhjeve brendapartiake, i tha “suksese”.

Suksesi në këtë garë, është i garantuar për Haxhiun. Anëtaret e partisë nuk kanë emër tjetër për të votuar.

“Ftoj të gjithë anëtarët që të shfrytezojnë këtë të drejtë dhe të bëhen pjesë e vendimarrjes, për të vendosur jo vetëm për lëvizjen por edhe për vendin përmes votimit të tyre në organizatën politike më të madhe në vend’’, tha ajo pas votimit.

Lëvizja Vetëvendosje ka zgjedhur që në faqen zyrtare në Facebook, t’i publikojë momentet nga votimi i Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, Arben Vitisë e Behar Jasharit, të cilët nuk kanë kundërkandidat.

Për të votuar në zgjedhjet e brendshme doli edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në një ditë të cilën e cilësoi si shumë të rëndësishme, jo vetëm për LVV-në, “por edhe për demokracinë në Kosovë”.

“Sot është një ditë shumë e rëndësishme për Lëvizjen Vetëvendosje por edhe për demokracinë në Kosovë sepse po mbahen zgjedhjet e brendshme e demokratike të një subjekti i cili është edhe fitues i zgjedhjeve, dhe natyrisht që janë të rëndësishme për nivelin e demokracisë tonë”, tha Konjufca.

Të martën, Kurti shpalli kandidaturën për t’u zgjedhur për të katërtën herë kryetar i LVV-së. Askush nuk iu vu përballë për ta sfiduar në synimin për të qëndruar ende në majë të partisë.

Brenda kësaj partie janë shpërfaqur disa pakënaqësi së fundmi, pasi ka pasur ankesa se disa nuk janë lejuar të kandidojnë nëpër qendra pa iu dhënë arsye të qarta.