Familjarët e të pagjeturve kërkojnë që në dialog me Serbinë të shkohet me imazhe satelitore

Bajram Qerkini nga Shoqata e të Pagjeturve ka thënë se kanë kaluar plotë dy dekada në të cilat familjarët e të pagjeturve jetojnë në errësirë.

Ai ka thënë se edhe sot ata jetojnë në ankth të pashërueshëm.

Qerkini ka thënë se Qendra Burimore dhe familjarët nuk janë të kënaqur me atë që është bërë nga institucionet për të pagjeturit.

“Premtimet që i kanë bërë nuk i kanë kryer as përpara, e nuk besojmë as këta që janë që do t’i kryejnë. Para 10 ditëve ka qenë një grup punues, dhe unë personalisht nuk jam i kënaqur as me grupin punues e as me dialogun sepse po shkohet pa përgatitë. Po shkojnë edhe pa imazhe satelitore. Nëse punohet siç është punuar në Rudnicë me nga 5-6 vjet, nuk është gjetur asgjë, pastaj me imazhe satelitore janë gjetur. Edhe në Kizhevak kanë gërmuar por nuk kanë gjetur asgjë pa imazhe satelitore. Atje i kanë gjetur mbetjet mortore dhe i kanë lënë t’i ruajnë ata të cilët i kanë mbytur”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se vendorët duhet të mendojnë më shumë për personat e pagjetur dhe t’i kryejnë kërkesat.

Qerkini ka shtuar se nuk duhet shkuar në Bruksel të papërgatitur. Sipas tij, Kosova nuk duhet krahasuar me Bosnjën dhe Kroacinë.

Ai ka thënë politikanët kanë faj brenda vendit e pastaj edhe ndërkombëtarët.

“Ne kemi shpresa gjithmonë por punë konkrete nuk po bëhen. Ne ende nuk e kemi një komision qeveritar të kompletuar. Është dashur tri ditë që kryesuesi Ibrahim Makolli të pres që t’i jepet leja nga kryeministri për të shkuar në Beograd. Edhe në këta muaj nuk e kemi të qartë nëse do të jetë prioritet kjo çështje”, ka thënë ai.

175 minoritete ai thotë se i ka bashkuar në Qendrën Burimore për të kontribuuar në çështjen e të pagjeturve.

Bjeshka Guri nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut ka thënë se sot këtë ditë do ta shënojnë me një mori ngjarjesh.

Ajo ka thënë se nga ora 20:00 do të ndalen dritat në nderim të të pagjeturve.

Guri ka shtuar se vitin e kaluar shkaku i pandemisë e kanë ideuar “në terrin e të pagjeturve” duke i ftuar njerëzit që të bashkndjejnë me familjarët e të pagjeturve.

“Kjo është edhe thirrje për Qeverinë që të bëjnë më shumë lidhur me këtë çështje dhe ta shtyjnë përpara në dialog. Ndalja e dritave do të jetë aktivitet gjithëpërfshirës. Unë i ftoj të gjithë qytetarët që t’i bashkohen këtij aktiviteti”, ka thënë ajo.