Familja e presidentit Thaçi lëshon deklaratë, tregon pse nuk po pret mysafirë në shtëpi

Është raportuar dje se familja e presidentit Hashim Thaçi nuk po pret mysafirë në shtëpinë e tyre në Burojë.

Kjo ka bërë që ata të lëshojnë një deklaratë për media, për të sqaruar të gjithë ata që kanë pasur dëshirë t’i vizitojnë.

Sipas tyre, situate me pandeminë ka bërë që të mos mund t’I hapin dyert e shtëpisë për të pritur mysafirë.

Ata thojnë se u janë falenderues për dëshirën për t’u solidarizuar me të birin e tyre pas ngritjes së aktakuzës nga Gjykata Speciale.

Deklarata e plotë e familjes:

Të nderuar familjarë, miq dhe bashkëkombës,

Ditët e fundit ka pasur interesim të jashtëzakonshëm të të afërmve të familjes, miqve dhe qytetarëve për të na vizituar në shtëpinë tonë në Burojë, në shenjë solidarizimi për momentet sfiduese nëpër të cilat po kalojmë.

Jemi thellësisht mirënjohës për interesimin tuaj dhe për solidarizimin me ne si familje. Mirëpo, për shkak të pandemisë e kemi të pamundur që t’ju presim në shtëpinë tonë sipas nderit, traditës së familjes dhe të popullit tonë.

Shëndeti juaj është shumë më i rëndësishëm se gjithçka tjetër!

Jemi falënderues përjetësisht për mbështetjen që keni treguar për më tepër se dy dekada për birin, babanë dhe vëllain tonë, presidentin Hashim Thaçi, i cili me gjithë qenien e tij ka punuar për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.

Askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës, e as ta zhbëjë sakrificën e shqiptarëve për liri, pavarësi dhe shtetndërtim.

Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit! Lavdi luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Ju faleminderit nga zemra për mbështetjen e vazhdueshme.

Me respekt,
Familja Thaçi
Burojë