Gara presidenciale

Familja e Bidenit i kërkon atij të mos heqë dorë nga gara për Shtëpinë e Bardhë

Familja e presidentit amerikan, Joe Biden, i ka kërkuar atij që t’i injorojë thirrjet për të hequr dorë nga gara presidenciale pas debatit kundër republikanit, Donald Trump.

Siç raporton BBC-ja, Bideni e kaloi të dielën me të afërmit e tij në një vendstrehim presidencial, ku ata e inkurajuan të qëndronte në garë. 

Pas debatit që u cilësua i dobët dhe jokoherent në Atlanta, janë ngritur dyshime nëse Bideni është në gjendje të garojë edhe për një mandat në krye të SHBA-së.

Një sondazh i CBS News i publikuar të dielën tregoi se 72 për qind e votuesve demokratë besojnë se presidenti nuk ka shëndet mendor për të shërbyer si president.

Por mesazhi nga ekipi i tij i fushatës dhe familja e tij është se Bideni mbetet shpresa më e mirë e partisë për ta mposhtur Trumpin.

“Nuk do të lejojmë që ato 90 minuta të përcaktojnë katër vjetët e tij si president. Ai gjithmonë do ta bëjë atë që është më e mira për vendin”, ka thënë zonja e parë, Jill Biden për revistën “Vogue”.