“Faleminderit vëlla” – Vojvoda e falënderon mjeshtrin Ansaldi për asistet

Mërgim Vojvoda e ka falënderuar Cristian Ansaldin për asistimin në dy golat e tij të parë në Serie A dhe për skuadrën e Torinos, duke e quajtur vëlla dhe mjeshtër bashkëlojtarin e vet argjentinas.

Përfaqësuesi i Kombëtares së Kosovës, Vojvoda shënoi në dy ndeshje radhazi dy golat e tij të parë në fanellën e Torinos, të cilat, për më tepër, erdhën në kohën më të duhur për fatin e skuadrës së tij në Serie A.

Mbrojtësi i djathtë nga Skenderaj e kaloi Torinon në epërsi 1:0 kur shënoi me kokë nga afërsia, pasi u shërbye nga Cristian Ansaldi, në minutën e 85-të në Marc’Antonio Bentegodi.

Ky gol i Vojvodës edhi vetëm pak ditë pasi ai e shënoi golin e parë në fanellën e Torinos në fitoren kundër Parmës 1:1 të hënën, të cilin ia kishte servuar në pjatë pikërisht Ansaldi.

Në një postim në Instagram, kosovari e falënderoi bashkëlojtarin e vet argjentinas, duke e quajtur mjeshtër.

“Faleminderit vëlla! Maestro”, shkroi Vojvoda mbi një fotografi me Ansaldin në Instagram.

Vojvoda është duke luajtur rol të rëndësishëm në luftën e Torinos për mbijetesë në ligën elitare italiane, pasi ia siguroi katër pikë në dy ndeshjet e fundit me golat e tij.

Ky ishte goli i dytë i mbrojtësit të djathtë 26-vjeçar në 26 paraqitje zyrtare për Torinon në të gjitha garat këtë sezon dhe i dytë në përgjithësi për klubin italian prej se iu bashkua në verën e kaluar.

Vojvoda ka pasur vështirësi të zërë vendin e titullarit në skuadrën e Davide Nicolës, shkaku i konkurrencës së madhe nga Singo, duke i bërë vetëm 15 paraqitje si titullar tërë sezonin.