Fakulteti i Filozofisë ‘shpëtim’ për ata që nuk pranohen në tjera drejtime

Në Fakultetin e Filozofisë, çdo vit ofrohen 100 vende për të studiuar filozofi në studimet themelore, por në afatin e parë, numri i tyre që aplikojnë arrin deri në 30. Ndërkaq, në afatin e dytë, kur në shumicën e departamenteve është mbushur numri, deri në 300 studentë aplikojnë për 70 vendet e lira të mbetura në Departamentin e Filozofisë.

Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress vetë shefi i Departamentit të Filozofisë në UP, Kristë Shtufi. I pyetur se a ndikon kjo gjë në cilësinë e studimeve, Shtufi thotë se zgjedhja e studimeve është në dorën e vet studentëve dhe se departamenti i gëzohet një interesimi kaq të madh.

Ai po ashtu thotë se të rinjtë që studiojnë filozofi kanë një mori mundësish në tregun e punës.
Pavarësisht kësaj, vitin e kaluar disa komuna të Kosovës filluan reduktimin dhe largimin e lëndëve të filozofisë dhe logjikës nga planprogrami mësimor.

Ky veprim, u kritikua nga analistë e njohës të arsimit, e nuk po duket i arsyeshëm as për kryetarin e Komisionit Parlamentar për Arsim, Ismajl Kurteshin.

Ai thotë se para se të largohet apo të shtohet një lëndë, duhet të bëhen analiza të thella nga ekspertë të arsimit, ndërsa filozofinë e sheh të domosdoshme që të mësohet si lëndë para se të shkohet në universitet, në veçanti për ata studentë që zgjedhin shkencat humane.

Ndërkaq, tash e katër vite në Kosovë funksionon Shoqata e Filozofëve të Kosovës, që mëton të promovojë filozofët e rinj. Në mesin e filozofëve të kësaj shoqate, nuk ka vetëm studentë e të diplomuar të filozofisë, por edhe të rinj nga fusha të ndryshme të studimit apo edhe njerëz që nuk studiojnë ndonjë program akademik.

Sipas nënkryetarit të kësaj shoqate, Ridvan Eminit, kriteri kryesor që duhet të përmbushë një person për të qenë pjesë e kësaj shoqate, është që të ketë dashuri për dije.

Emini thotë se Kosova u ofron mjaft hapësirë të rinjve që të merren me filozofi, dhe shtoi se shoqata e tyre është një ndihmesë shtesë për ata që duan të merren em filozofi edhe përtej nivelit akademik.
E një grup tjetër që po mundohet ta kthejnë tek të rinjtë dashurinë për dije, janë studentësh e ish-studentësh të filozofisë, të njohur si Virtual Sophists, të cilët së fundmi kanë themeluar edhe Qendrën për Filozofi dhe Art.

Njëri nga themeluesit e kësaj qendre, Ardian Batusha, thotë se qëllimi kryesor i tyre është që ta nxjerrin filozofinë nga qarqet akademike dhe ta praktikojnë më shumë në jetën e përditshme.
Batusha thotë se po synojnë që këtë qendër ta shndërrojnë në një kafe të Parisit, ku synojnë ta promovojnë filozofinë ekzistencialiste.

Përndryshe, ky grup organizon edhe Klubin e Librit dedikuar librave me karakter filozofik.

Së fundmi, në Kosovë janë botuar rreth tri revista me karakter filozofik, e aktivitete e kësaj natyre kryesisht vazhdojnë të mbahen nga organizatat dhe grupet joformale./KosovaPress/

https://youtu.be/z8ouOeKJuyc