Fadil Nura: PDK nuk e sfidon familjen Jashari, ajo qëndron mbi partitë politike

Kandidati i PDK-së për kryetar të komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka thënë se në këto zgjedhje nuk garon kundër familjes Jashari dhe emrit të saj. Ai thotë se familja Jashari qëndron mbi partitë politike dhe se duhet të respektohet për veprën e saj.

Mirëpo, Nura thotë se Bekim Jashari tani përfaqëson një subjekt politik. Pasi që tha në fillim të emisionit Pressing në T7 se Jashari përfaqëson VV-në dhe ka përkrahjen e plotë të tyre në garën komunale, ai thotë edhe se gara është e shëndetshme për komunën.

“Bekim Jashari është nën përkrahjen e plotë të VV-së”, tha ai.

“PDK nuk e sfidon Familjen Jashari, ajo qëndron mbi partitë politike. Duhet të jesh me nivel intelegjence nën 0 që të flasësh dicka kundër veprës së familjes Jashari. Mirëpo po luhet me këtë sentiment. Bekimi është djalë që unë e respektoj maksimalisht. Por sot ai po flet në emër të një subjekti politik. Ai e di që po e bën këtë. Nuk është më duke përfaqësuar familjen Jashari por subjektin politik. Mirëpo ne kemi garë të shëndetshme. Jemi në demokraci dhe kjo është e nevojshme”, shtoi ai.