Fabregas

Fabregas zbulon se çfarë i tha Mourinho për të qenë një trajner i vërtetë

Trajneri i Comos, Cesc Fabregas, zbulon se Jose Mourinho i ka thënë atij se “ti nuk je një trajner i vërtetë derisa të shkarkohesh”.

Spanjolli gjithashtu këmbënguli se ai nuk priste të zëvendësonte Moreno Longo te skuadra italiane.

Fabregas do të bëjë debutimin e tij si trajner i Comos të shtunën, në një ndeshje në Serie B kundër FeralpiSalo.

Ish-ylli i Chelseat, Arsenalit dhe Barcelonës zëvendësoi Longon javën e kaluar dhe ishte një vendim befasues nga pronarët e klubit duke qenë se paraardhësi i Fabregasit kishte fituar gjashtë ndeshje nga 12, duke grumbulluar 21 pikë dhe duke e lënë klubin në vendin e gjashtë në tabelë, gjashtë pikë larg pozitës së dytë.

“Së pari, dua të falënderoj Longon për atë që bëri këtu, veçanërisht sezonin e kaluar kur ne ishim në vështirësi”, tha Fabregas në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”.

“Një ditë do të më ndodhë edhe mua, është normale në këtë punë. Kështu më tha Mourinho: ‘Ti nuk je një trajner i vërtetë derisa të shkarkohesh’”, shtoi spanjolli.

Në letër, Fabregas do të qëndrojë në krye si trajner i përkohshëm për një periudhë të kufizuar kohore, por duket se ai do të mbajë rolin e tij deri në fund të sezonit.

“Kam gjetur një grup lojtarësh të disponueshëm që kanë punuar mirë. Skuadra është e fortë dhe e aftë për të përballuar këtë ndryshim. Shumë lojtarë janë edhe miqtë e mi, sepse kam luajtur me ta. Unë jam vërtet pozitiv”, tha ai.

A ka vendosur tashmë për formacionin e tij të parë?

“Mund të them vetëm një gjë… nuk do të luaj”, tha ai duke buzëqeshur, duke shtuar pastaj: “Longo dhe unë kemi ide të ndryshme dhe diçka do të ndryshojë, por nëse Como është një skuadër e fortë, kjo është merita e tij. Tifozët duan një ekip që sulmon dhe fiton, ndaj ne duhet të bëhemi protagonistë me topin. Catanzaro vjen nga Seria C, por luan futbollin më të mirë në Serie B. Unë shikoj shumë video me anëtarët e stafit tim. Unë besoj në futbollin argëtues. Duke luajtur me kokën lart dhe duke u dhënë emocione tifozëve.”

36-vjeçari tha se nuk priste të zëvendësonte Longon, i cili kishte mbledhur shtatë pikë në tre ndeshjet e tij të fundit në krye të Como.

“Jo [nuk e prisja]. Më kanë telefonuar të dielën në orën 15:11 për njoftim. Nuk dija asgjë. Ata duan promovimin në Serie A dhe ne do të përpiqemi ta arrijmë atë”, deklaroi Cesc Fabregas.