Albin Kurti

Evropa në ankth për kthimin e mundshëm të Trumpit, thotë Kurti

Potenciali në rritje i kthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë i mbush liderët evropianë me “stres dhe ankth”, kryesisht për shkak të prirjes së ish-presidentit amerikan për ndryshime të egra dhe të papritura të politikave, tha kryeministri i Kosovës në një intervistë për uebfaqen e lajmeve “Semafor”.

Albin Kurti tha gjithashtu se marrëdhëniet e tij të dobëta me Richard Grenellin – më parë një i dërguar i posaçëm i Trumpit për negociatat e paqes midis Kosovës dhe Serbisë – “do të mund të ishin një sfidë”, në rast se Grenelli do të siguronte një pozicion tjetër të lartë të politikës së jashtme ose të sigurisë kombëtare në një administratë të re Trump.

Kurti u bëri thirrje vendeve perëndimore që të lehtësojnë rrugën e Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO dhe Bashkimin Evropian, duke vënë në dukje rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes që arrijnë në 2% të PBB-së, një objektiv i vendosur nga aleanca ushtarake për anëtarët e saj.

“Ne meritojmë më shumë”, tha ai.

Rreziku i një krize gjeopolitike në Ballkan është një shqetësim i vazhdueshëm për Perëndimin: Kosova dhe Serbia – nga e cila e para shpalli pavarësinë në vitin 2008 – janë vazhdimisht në mosmarrëveshje, me Prishtinën që kërkon që Beogradi ta njohë atë si një shtet sovran dhe Serbia që argumenton se Kosova e trajton keq komunitetin e vet serb.

Kurti tha se polarizimi “i paprecedentë” në Shtetet e Bashkuara ishte gjithnjë e më shumë një çështje për liderët evropianë, të cilët duhet të përballen me pasigurinë që rrethon politikën amerikane në të njëjtën mënyrë si politikanët amerikanë: “Ka disa aspekte të qeverisjes, dhe politikëbërjes, dhe të opinionit publik me të cilin po përballet për herë të parë ShBA-ja në ditët e sotme”, tha ai.

Duke folur në margjinat e një ngjarjeje në ODI (Overseas Development Institute) në Londër, Kurti tha se mbështetja afatgjatë e ShBA-së për Kosovën nuk ka gjasa të ndryshojë, por “me kthimin e Presidentit Trump… ka një stres dhe ankth të caktuar në të gjithë kontinentin, dhe Kosova nuk është ndryshe”.

Çështja, vazhdoi ai, nuk është se “diçka e keqe mund të ndodhë”, por më tepër “ankthi për diçka të panjohur”. E thënë thjesht: “Çfarë do të bëjnë ata [Shtetet e Bashkuara] dhe si do të mendojnë, dhe se si një urgjencë e caktuar mund të rrëmbejë të gjithë agjendën, kjo është ajo për të cilën njerëzit shqetësohen më shumë”.

Kosova ka rritur shpenzimet e saj të mbrojtjes për të përmbushur objektivin e mbrojtjes prej 2% të NATO-s, shtoi Kurti, pavarësisht se nuk ishte anëtare e bllokut: vendet evropiane që shpenzuan nën atë prag dhe nuk morën përsipër një barrë të mjaftueshme ushtarake ishin pengesë për Trumpin gjatë kohës së tij si president. “Pra, ndoshta ne nuk jemi në krye të listës [të Trumpit]”, tha lideri kosovar duke qeshur. “Ai do të merret me disa vende të tjera paraprakisht”.

Kurti gjithashtu bëri presion për rritjen e angazhimit me NATO-n dhe për t’u bashkuar me aleancën, por kjo ambicie aktualisht është e bllokuar nga katër shtete anëtare dhe Kosovës i mungon shtetësia e njohur nën Kombet e Bashkuara, një tjetër pengesë. “Ne nuk e kemi kërcënimin e afërt si Ukraina apo si Moldavia nga Federata Ruse, por Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, madje edhe Mali i Zi, duhet të them, nuk janë plotësisht të sigurta”, tha Kurti. “Nuk kemi frikë, por jemi vigjilentë. Vigjilenca jonë duhet të mbështetet edhe nga NATO”.

Duke iu referuar vizitës së liderit kinez Xi Jinping në Serbi këtë muaj, Kurti tha se midis Pekinit dhe Moskës, “Rusia është më shkatërruese… në kuptimin që Rusia dëshiron të shohë Perëndimin demokratik dhe veçanërisht ShBA-në të shkatërruar”. Kina, nga ana tjetër, “nuk e dëshiron shkatërrimin e Perëndimit ose të ShBA-së, por më shumë ndarjen e tyre”.

Pikëpamja nga ShBA-ja

Kurti shpreh mbështetje të pakonkurrueshme për ShBA-në: I pyetur nëse Kosova, ashtu si vendet e tjera të vogla, përballet me një zgjedhje të vështirë mes ShBA-së dhe Kinës, ai u përgjigj thjesht, “Nuk duhet të zgjedhim sepse tashmë e kemi bërë atë zgjedhje dhe asnjëherë nuk kemi pasur e as nuk kemi dyshime”.

Uashingtoni, megjithatë, nuk është aq i kënaqur me qeverinë e tij: “Politico” raportoi këtë muaj se Kurti shihet si nga demokratët ashtu edhe nga republikanët si “kokëfortë dhe nganjëherë i pamatur”, me administratën e Bidenit që e fajëson atë për trazirat në zonat me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe me ambasadorin e ShBA-së në Beograd duke pranuar se Uashingtoni ka “disa çështje shumë thelbësore me të”.

Ndërkohë, Grenell ka qenë një kritik i zëshëm i Kurtit, duke thënë vetëm javën e kaluar se kryeministri “po e mbante Kosovën prapa”.

I pyetur se si do të sillej me Grenellin nëse do të bëhej sërish një figurë domethënëse, Kurti u përgjigj: “Po, më ka kritikuar herë pas here, por nuk e kam problem kritikën… Nëse nuk e gjej gjuhën e përbashkët, nëse ndodh që të kthehet në ndonjë pozicion, atëherë ndoshta duhet të përpiqem dhe të sigurohem që ministri im i punëve të jashtme ta bëjë atë punë”.

Por ai shtoi se Grenelli ose kritikë të tjerë të udhëheqjes së tij në qeveri “mund të jenë sfidë”.