Evra i sigurt se Pogba do të mbetet në Manchester United

Patrice Evra është i bindur se Paul Pogba do të qëndrojë në Manchester United, edhe pse ai nuk e di se sa gjatë do të mbetet mesfushori francez, i cili po kërkohet nga Real Madridi, në La Liga.

Paul Pogba ka qenë i përfolur për një largim nga Manchester Unitedi, pasi që Real Madridi dhe ish klubi i tij, Juventus, kanë shprehur interesim për fituesin e Kupës së Botës me Francën.

Real Madridi dëshiron ta sjellë Pogban në “Santiago Bernabeu” para se të mbyllet afati kalimtar për klubet evropiane, më 2 shtator, edhe pse Manchester Unitedi po ua bën të pamundur këtë gjë sepse po ua kërkon madrilenëve 222 milionë euro për francezin.

Në fillim të këtij muaji, Evra kishte thënë se Pogba nuk ndihet i pëlqyer në Manchester United, mirëpo ish mbrojtësi i krahut të majtë i “Djajve të Kuq” tani e ka këshilluar bashkëkombësin e vet të qëndrojë në United.

“Pauli është i përqendruar, Pauli është në Manchester dhe ai do të qëndrojë në Manchester United”, tha Evra në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të UEFA-s të enjten.

“Ka pasur diskutime, mirëpo është gjë e mirë për klubin dhe është gjë e mirë për të që të qëndrojë. Tani duhet të përqendrohemi, do ta shohim me kalimin e viteve nëse ai qëndron, por do ta kishte të vështirë të largohet nga Manchesteri”.

“Të largohesh afër fundit të afatit kalimtar, kur sezoni tashmë ka filluar? Jo. Shpresoj se ai do ta ketë një sezon të mrekullueshëm me Manchester Unitedin”.

loading…