Evertoni mohon të ketë arritur marrëveshje me Ancelottin

Evertoni e ka lëshuar një deklaratë zyrtare për t’i mohuar spekulimet se klubi e ka emëruar trajnerin e ri, pasi që të hënën u raportua se Carlo Ancelotti do të ishte tekniku i ri në Goodison Park.

Sky Sports raportoi se ish trajneri i Napolit kishte arritur marrëveshje në princip pas negociatave dhe se ai pritej të emërohej trajneri i ri i Evertonit para përballjes të së mërkurës kundër Leicester Cityt në Carabao Cup.

Por, klubi i Premierligës u sigurua t’u kthejë përgjigje këtyre spekulimeve, përmes llogarive zyrtare në rrjetet sociale. Në deklaratën e lëshuar thuhet se asnjë kandidat nuk është zgjedhur ende për të qenë trajneri i ri i Evertonit.

“Në 11 ditët që kur Marco Silva është larguar nga klubi, bordi drejtues i Evertonit ka qenë duke punuar shumë për ta rekrutuar një trajner të ri permanent dhe ka mbajtur takime me një numër të kandidatëve”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Evertoni.

“Ne mund ta konfirmojmë se deri më tani nuk i është ofruar asnjë kandidati ndonjë kontratë zyrtare dhe asnjë kandidat nuk është përzgjedhur nga i gjithi ky proces”.

Silva u shkarkua nga Evertoni më 5 dhjetor, pas tri humbjeve radhazi, ndërsa Ancelotti u shkarkua nga Napoli para rreth një jave, pasi ia siguroi skuadrës së tij kualifikimin në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve.