Everton turpëron United, skuadra e Solskjaer bëhet më e keqja në histori (VIDEO)

Manchester United ka pësuar një humbje të rëndë në fushën e Everton, që ka fituar me lehtësi 4-0 kundër “Djajve të Kuq” falë golave të Richarlison (13′), Sigurdsson (28′), Digne (56′) dhe Walcott (64′).

Kjo humbje mund t’i kushtojë kualifikimin në edicionin e ardhshëm të Champions League skuadrës së Solskjaer, kur kanë mbetur edhe katër ndeshje nga fundi i kampionatit.

United, në fakt, mban vendin e gjashtë në renditje me 64 pikë, dy më pak se Arsenal-i i vendit të katërt, që do të luajë sot në shtëpi kundër Crystal Palace (17:00).

Ka qenë një rezultat tronditës për miqtë, të cilët kanë pësuar 48 gola në këtë sezon të Premier League, më shumë se në çdo sezon tjetër të kampionatit anglez.