Eurodeputeti Mandl: BE t’i bëjë thirrje vendeve anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën të ndryshojnë qëndrim

Eurodeputeti austriak Lukas Mandl, në një intervistë për Telegrafin, ka folur për çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë kornizën e re e u cila bë kryetemë në mediat vendore dhe më gjerë.

Mandl theksoi se dialogu duhet të ketë rezultate të qarta, njohje reciproke. “Kosova ka pritur shumë kohë që të ketë rezultate në dialog”.

Publikimin e ‘non paper’, lidhur me kornizën e re të dialogut, ai e ka quajtur teori konspirative dhe agjendë sekrete.

Mandl, ka folur edhe për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, si dhe rritjen e dezinformimit rus pas agresionit në Ukrainë.

“E gjithë Evropa është sulmuar që nga 24 shkurti dhe jo vetëm Evropa por e gjithë bota. Bashkimi Evropian ka shumë për të bërë posaçërisht t’u bëjë thirrje vendeve anëtare të cilat ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës që të kontribuojnë në vlerat evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh ai.

Po ashtu ka folur për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Unë pothuajse kam humbur durimin dhe e vlerësoj durimin që kanë shumë njerëz në Kosovë sepse është stërzgjatur kjo çështje. Liberlizimin e vizave e meritojnë populli i Kosovës. Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret”.

I pyetur nëse do të ketë liberalizim të vizave në 2023-ën, Mandl tha se nëse do të kisha ndonjë dëshirë, ajo do të ishte që kjo të ndodhte edhe më herët.

Sa i përket Ballkanit të Hapur, Mandl tha se Austria mbështet çdo gjë kur plotësohen kriteret e që kanë të bëjnë me zhvillim të mirëfilltë biznesesh dhe marrëdhënie të mirëfillta ekonomike ku do të ketë gjithëpërfshirje, krijim vendesh të reja pune, rinia të ketë mundësi të mira për të ardhmen e tyre, e kjo do të vlerësohej shumë.

Lexo intervistën e plotë:

Telegrafi: Zoti Mandl, si e shihni procesin aktual të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Mandl: E gjithë kjo varet nga rezultatet e këtij procesi. Duhet të ketë rezultate të qarta, njohje reciproke, të ketë të ardhme për Ballkanin Perëndimor. Kosova ka pritur shumë kohë që të ketë rezultate në dialog.

Së fundmi, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz, kanë angazhuar këshilltarët e tyre për politikën e jashtme dhe sigurinë për të ndihmuar z. Lajçak në dialog. Si e shihni këtë lëvizje?

Mandl: Çdo mbështetje që mund t’i ofrohet z. Lajçak në përpjekjet e tij të rëndësishme për ta lehtësuar këtë dialog dhe për të dhënë kontributin e tij në rezultatet e këtij dialogu do të vlerësohet lart. Për këtë arsye unë i vlerësoj edhe vendimet e Francës dhe Gjermanisë por gjithashtu edhe të gjitha vendet anëtare duhet të japin kontributin e tyre në rezultate. Do të thosha që presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duhet t’i kushtojë shumë vëmendje Ballkanit Perëndimor me theks te veçantë marrëdhënieve Kosovë-Serbi për të kontribuar në rezultate sepse tani është koha të arrihen rezultate në interes të popujve të rajonit.

A keni dëgjuar për non paper në lidhje me kornizën e re të dialogut?

Mandl: Kjo nuk është hera e parë që pyetem për këtë ‘non-paper’ lidhur me Ballkanin Perëndimor. Ekzistojnë shumë dokumente të rregullta e zyrtare për të cilat është më mirë të flasim pasi që nuk merrem shumë me teori konspirative apo agjenda sekrete. Duhet të flasim hapur, pozitivisht, le të flasim për gjëra reale dhe për qëllime të cilat duan t’i arrijnë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Duke pasur parasysh agresionin rus në Ukrainë, a mendoni se duhet të përshpejtohen hapat që Ballkani Perëndimor të integrohet në BE?

Mandl: E gjithë Evropa është sulmuar që nga 24 shkurti dhe jo vetëm Evropa por e gjithë bota. E gjithë bota po e mbron veten dhe sigurinë e njerëzve. Po ofron mundësi për gjeneratat e ardhshme. Mendoj se tash kushdo mund ta shoh atë çfarë po bën Putin me këtë ideologji urrejtjeje. Bashkimi Evropian ka shumë për të bërë posaçërisht t’u bëjë thirrje vendeve anëtare të cilat ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës që të kontribuojnë në vlerat evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor.

A mendoni se ndikimi rus nëpërmjet dezinformatave po rritet dhe po dëmton Evropën dhe Ballkanin. Rusia ka përhapur lajme të rreme edhe për veriun e Mitrovicës.

Mandl: Dezinformimi ka për qëllim të na përçaj. Të shkaktojë përçarje në mesin e shoqërive, institucioneve e shteteve. Natyrisht se Putin, gjithmonë mundohet që t’i shfrytëzojë këto mënyra të dezinformimit në Ballkanin Perëndimor siç janë lajmet e rreme dhe gjuha e urrejtjes. Në Parlamentin Evropian ne e kemi një komision të posaçëm që merret me këtë çështje. Popujt e Ballkanit Perëndimor kanë një eksperiencë të gjatë sa i përket dezinformimit. Ne duhet ta luftojmë këtë dukuri përmes një gazetarie të vërtetë.

Kosova nuk është pjesë e Ballkanit të Hapur, kryeministri Albin Kurti e përmend shpesh Procesin e Berlinit. Mendoni se ka pasur ndonjë efekt inicimi i Ballkanit të Hapur?

Mandl: Gjendjen pozitive në të cilën ndodhet sot Bashkimi Evropian e bëjnë ekonomia, shkëmbimi i shërbimeve dhe mallrave që do të thotë se kjo i ofron popujt në mes vete çdoherë e më shumë. Këtë e dëshiroj edhe për Ballkanin Perëndimor por duhet të ketë ndërveprim të vërtetë për përfitim reciprok.

A e mbështet Austria Open Balkan?

Mandl: Do të thosha se Austria mbështet çdo gjë kur plotësohen kriteret e lartcekura që kanë të bëjnë me zhvillim të mirëfilltë biznesesh dhe marrëdhënie të mirëfillta ekonomike ku do të ketë gjithëpërfshirje, krijim vendesh të reja pune, rinia të ketë mundësi të mira për të ardhmen e tyre, e kjo do të vlerësohej shumë.

Kosova mbetet vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor që ende nuk e ka arritur liberalizimin e vizave nga BE-ja. A besoni se ky proces do të përfundojë në vitin 2023?

Mandl: Unë jam duke punuar shumë në këtë çështje por ka edhe kolegë të mi nga vende të ndryshme evropiane që janë duke punuar po ashtu shumë në këtë drejtim. Unë pothuajse kam humbur durimin dhe e vlerësoj durimin që kanë shumë njerëz në Kosovë sepse është stërzgjatur kjo çështje. Liberlizimin e vizave e meritojnë populli i Kosovës. Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.

Por janë vetëm disa shtete anëtare të cilat akoma janë duke e bllokuar këtë çështje. Pyetja juaj ishte se a do të ndodhë liberalizimi në vitin 2023. Nëse do të kisha ndonjë dëshirë, ajo do të ishte që kjo të ndodhte edhe më herët por unë nuk e di këtë. Unë mund ta jap kontributin tim vetëm në parlament pothuajse çdo ditë duke u munduar që t’i bind shtetet anëtare që të marrin vendime adekuate për Republikën e Kosovës.