Eurodeputeti francez nga Parlamenti Evropian: Refuzojmë liberalizimin e vizave për Kosovën

Eurodeputeti francez, Thierry Mariani, ka thënë se grupi i tij në Parlamentin Evropian “Groupe Identité et Démocratie”, ka paraqitur qëndrimin kundër dëshirës për zgjerim të Komisionit Evropian sa i përket Shqipërisë dhe Kosovës, dhe gjithashtu thotë se kanë shprehur qëndrimin e tyre kundër liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Në Bruksel, në debatin rreth Ballkanit. Edhe një herë, grupi ynë, fuqishëm përsëriti kundërshtimin e dëshirës së Komisionit Evropian për zgjerim të BE’së, në veçanti të Shqipërisë dhe Kosovës, dhe refuzimin tonë për t’ia hequr vizat Kosovës”, ka shkruar Marian.

Mariani njihet për qëndrimet e tij kundër shqiptarëve. Në disa reagime të më parshme, ai s’ka lënë gjë të keqe pa thënë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Në seancën e sotme plenare të Parlamentit Evropian, po diskutohet për raportet e progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Për to do të votohet nga i tërë parlamenti gjatë ditës. Më herët, më 23 shkurt, të njëjtat raporte ishin miratuar në Komisionin e politikës së jashtme.