Italia ka marrë një fitore bindëse 6-0 kundër Lihtenshtejn në javën e dytë të eliminatoreve për Euro 2020. “Axurrët” kanë zgjidhur gjithçka në pjesën e parë. Përfaqësuesja e re e Mancini-t ka patur për protagonist veteranin Fabio Quagliarella, i cili ka realizuar dy gola (35′,45+3′), të dy nga pika e bardhë.

Sulmuesi i Sampdorias, 36 vjeç e 54 ditë, është bërë edhe golashënuesi më i vjetër i Italisë, një rekord ky që mbahej nga ish-trajneri i Shqipërisë, Christian Panucci, i cili kishte shënuar për “axurrët” në moshën 35 vjeç e 62 ditë.

Sensi (17′), Verratti (32′), Kean (70′) dhe Pavoletti (77′) kanë qenë autorët e golave të tjera. Lihtenshtejni ka luajtur me dhjetë lojtarë në pjesën e dytë pas kartonit të kuq të marrë nga Kaufmann në fundin e pjesës së parë.

Italia tani kryeson Grupin J me 6 pikë falë diferencës së golave. Pas tyre pozicionohet Greqia që ka marrë një barazim 2-2 në fushën e Bosnjes, që ka shpërdoruar avantazhin prej dy golash të siguruar në pjesën e parë.