Misioni EUFOR në Bosnjë dhe Hercegovinë njoftoi se nuk ka asnjë provë apo informacion që do të konfirmonte praninë ose aktivitetet e ndonjë kampi paraushtarak në territorin e Bosnjë dhe Hercegovinës, qofshin grupe radikale islamike apo kampe ushtarake ruse.
EUFOR deklaroi se ata përdorin mjete të ndryshme për të marrë një pasqyrë të detajuar dhe objektive mbi situatën e sigurisë në BeH, transmeton Ballkani.info.
“Përveç mjeteve të mbledhjes së të dhënave dhe burimeve të disponueshme për ne, EUFOR mban kontakte të rregullta me partnerët e saj në autoritetet boshnjake-hercegovinase, nga niveli lokal në atë shtetëror, të cilët merren me çështjet e sigurisë”, tha EUFOR për portalin e Sarajevës Klix.ba.
Ditët e fundit, përfaqësuesit e Republikës Serbe i dërguan një letër Senatit dhe Kongresit Amerikan, si dhe zyrtarëve evropianë, duke pretenduar se në Bosnje dhe Hercegovinë ka grupe radikale islamike dhe më pas ministri i Mbrojtjes së Bosnjës, Zukan Helez, deklaroi se në territorin e RS ka kampe ku stërviten formacionet paraushtarake, të cilat drejtohen nga “njerëz nga Rusia”.
“EUFOR vazhdimisht investon përpjekje në monitorimin e zhvillimit të situatës në rajon me qëllim të ruajtjes së një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm. Bashkëpunimi ynë me përfaqësuesit e autoriteteve të BeH është i një rëndësie kyçe për të siguruar një përgjigje proaktive dhe të koordinuar ndaj çdo sfide”, theksoi EUFOR.
Ata shtuan se EUFOR ka 19 Ekipe Ndërlidhëse dhe Vëzhguese, të cilat janë të vendosura në komunitetet lokale në të gjitha pjesët e vendit, gjë që u lejon atyre të mbajnë kontakte të drejtpërdrejta me popullatën dhe të identifikojnë çdo çështje që mund të përbëjë një kërcënim për sigurinë. /Ballkani.info/







