Eskalon kryetari i OVL-UÇK, i drejtohet LDK-së e VV-së: Jeni të mjerë e frikacakë, nuk dalloni nga Lista Serbe

Kuvendi i Kosovës nuk e ka votuar në parim Projektligjin për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së, kësisoj, projektligji kthehet prapa për votim në ndonjë rast tjetër.

Në sallë ishin 68 deputetë, por vetëm 36 morën pjesë. 35 votuan për dhe një kundër.

Pro ligjit votuan të gjithë deputetët e PDK-së që ishin në seancë, ata të AAK-së, NISMA dhe deputetë të minoriteteve jo-serbe, kurse deputetët e Vetëvendosjes dhe ata të LDK-së, që ishin në seancë nuk morën pjesë fare në votim duke bllokuar miratimin e ligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.

Ndaj mosvotimit nga VV e LDK ka reaguar kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, i cili ka hedhur akuza ndaj këtyre dy partive, duke shkuar aq larg sa thotë se ato nuk dallojnë fare nga Lista Serbe, ndërsa i quan të mjerë e frikacakë, shkruan Reporteri.net.

“Skandalet dhe paftyrësia e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë fund, këto dy subjekte sot treguan se nuk kanë asnjë dallim nga Lista Serbe për derisa nuk votuan projektligjin për vlerat e luftës, nuk jeni asgjë me shumë vetëm se të mjerë dhe frikacakë, po të mos ishte lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës ju të mjerët nuk do të flisnit shqip, ju nuk jeni asgjë me shumë vetëm se frikacakë që nuk jeni në gjendje të jeni në shërbim të vendit tuaj, herët ose vonë projektligji për vlerat e luftës do të miratohet por ju do të mbeteni gjithmonë frikacakë dhe te mjerë, jeni turpi i gjithë Kosovës!”, ka shkruar ai.