Vdekja e 26 vjeçarit A.M nga Gjilani në Qendrën e Studentëve në Prishtinë po konsiderohet si papërgjegjshmëri e autoriteteve shtetërore për ta trajtuar si duhet, pas problemeve që kishte. Sidoqoftë, përkrahës të Qeverisë Kurti e militantë të VV’së po  e banalizojnë edhe më tutje këtë çështje, duke e akuzuar viktimën se ishte i varur nga droga.

Debati që ka përfshirë vendin nga dita e djeshme se i riu nga Gjilani që kishte shkuar për studime në Gjermani, nuk u mor parasysh nga institucionet e vendit, siç duket po eskalon në një formë të keqe.

Militantët e VV’së si kundërpërgjigje ndaj atyre që po akuzojnë Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe u.d e Ministrit të punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, po e banalizojnë edhe më shumë këtë çështje.

Madje, ka pasur prej tyre të cilët studentin i cili kishte shkuar për t’i përfunduar studimet master në Gjermani, po e akuzojnë se ishte i varur nga droga.

Përmes komenteve në rrjetin social Facebook, një prej tyre është shprehur se ai kishte mbetur pa substancat narkotike, dhe kjo ishte arsye pse dyshohet se bëri vetëvrasje.

“Lene këtë punë se e ka kap kriza droges dhe ka kcy posht, tasht mu qu mu shkarku ni njeri qe osht tu punu per ni narkoman, kta e boni ju LDK qe jeni konvertuar ne PDK”, ka shkruar përkrahësi i VV’së.

I njëjti, vërehet se në profilin e tij publikon shumë postime në përkrahje të Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.

Kujtojmë se A.M dyshohet se e vrau vetën dje pasdite në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, ku po qëndronte i karantinuar, shkruan Gazeta Metro.

I njëjti, sipas babait të tij ishte shtruar atje pavarësisht se vuante nga probleme të tjera shëndetësore ku theksoi se nuk e kanë lënë as të takohen me të birin.

Ai ka fajësuar Kurtin, Vitinë e Sveçlën për këtë dhe ka thënë se nuk dëshiron t’i shkojnë as për ngushëllime në shtëpi.

Ndërkaq, ndonëse vet Kryeministri në detyrë ka bërë thirrje që drejtësia të vihet në vend për të ndjerin, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ende nuk ka dhënë as edhe një deklaratë lidhur me vdekjen e tij.