Eroll Salihu pritet të kandidohet për kryetar të FFK-së

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi është urdhëruar që më 18 qershor të fillojë vuajtjen e dënimit me burg. I pari i futbollit kosovar ende shpreson që Gjykata Supreme të ndryshojë vendimin që e dërgon atë në burg, por në federatë po përgatiten edhe për periudhën pa Ademin në krye të saj.

Burime të KOHËS brenda federatës sportive më të madhe në vend kanë bërë të ditur të premten se Eroll Salihu do të jetë kandidat për kryetar të FFK-së. Tashmë ka nisur mbledhja e nënshkrimeve për kandidaturën e Salihut, ndonëse Ademi vazhdon të jetë kryetar dhe nuk janë shpallur zgjedhje të reja.

Në fakt kandidatura e Salihut varet nga zhvillimet rreth Agim Ademit. Nëse ai shkon në burg, kandidatura e Salihut do të shpallet zyrtarisht, ndërsa në FFK vlerësojnë se ai ka gjasa shumë të mëdha që të marr postin e kryetarit. Nëse eventualisht Ademi shmang burgun, atëherë Salihu do të vazhdojë të mbajë postin e sekretarit të përgjithshëm të FFK-së dhe zgjedhje nuk do të shpallen. Salihu është kohë të gjatë në postin e sekretarit të përgjithshëm dhe në FFK vlerësojnë se ai e njeh punën shumë mirë.

Sipas burimeve të KOHËS, të premten janë mbledhur nënshkrime për Salihun në të paktën tri qytete. Kandidaturën e tij eventule e përkrah edhe Agim Ademi, ka mësuar KOHA.

“Është çështje kohe para se të zyrtarizohet dhe të publikohet kandidatura e Eroll Salihut për kryetar të FFK-së. Por fillimisht po pritet nëse eventualisht do të ketë vendim tjetër për Agim Ademin. Nëse nuk ka vendim tjetër deri më 18 qershor, atëherë Salihu do të zyrtarizojë kandidaturën për të parin e futbollit kosovar”, ka thënë burimi i KOHËS, i afërt me zhvillime. Kandidatura e Salihut është konfirmuar edhe nga burime tjera.

“Salihu ka përkrahje të plotë nga Komiteti Ekzekutiv e po ashtu nga Agim Ademi. Edhe në terren përkrahja për të është e madhe. Komitetit Ekzekutiv ka vlerësuar se duhet që në krye të federatës të jetë një person që njeh punën, njeh rrethanat dhe zhvillimet. Kandidat më të fuqishëm se Salihu aktualisht nuk ka, ndonëse edhe ai vet fillimisht ka hezituar të kandidohet. Por Salihu është gjatë në FFK, i di të gjitha rrethanat e punët dhe shihet si i denjë për të drejtuar federatën dhe po ashtu për bashkëpunim të mëtejmë me FIFA e UEFA”.

I kontaktuar nga KOHA, Salihu ka refuzuar të komentojë për këtë çështje.

Salihu ishte pjesë e rëndësishme e ekipit të Fadil Vokrrit që udhëhoqi procesin e ndërkombëtarizimit të futbollit kosovar. Pozita e sekretarit të përgjithshëm vlerësohet e dyta më e rëndësishme në federatë, ndërsa Salihu e ka mbajtur këtë pozitë edhe gjatë kohës kur Kosova u pranua në UEFA e FIFA. Salihu ka bërë karrierë të suksesshme edhe si futbollist e më pas edhe si trajner.

Ai ishte përmendur si kandidat për kryetar të FFK-së edhe pas vdekjes së Fadil Vokrrit, por ishte vendosur që Agim Ademi të kandidohet. Ai më pas edhe fitoi zgjedhjet. Por Ademi ka telashe me ligjin, ndërsa dënimi me burg i është vërtetuar në shkallë të ndryshme.

Më 26 maj është lëshuar urdhëresa për paraqitjen e Ademit për mbajtje të dënimit.

“I dënuar Agim Ademi URDHËROHET që më 18 qershor deri në orën 12:00 të paraqitet në shërbimin korrektues të Republikës së Kosovës – Qendra e Paraburgimit Prishtinë, për të filluar me mbajtjen e dënimit me burg, i cili i është shqiptuar sipas aktgjykimit tani të plotfuqishëm të Gjykatës Themelore Prishtinë”, thuhet në urdhëresë.

Vendimi ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit. Ademi është dënuar për veprën penale të detyrimit në tentativë. Ai është dënuar me nëntë muaj burg, ndërsa në dënim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga 12 shtatori deri më 2 nëntor të vitit 2012.

Ka pasur shumë akuza lidhur me kohëzgjatjen e mandatit të Agim Ademit në krye të FFK-së, ndërsa ka pasur të tillë që kanë vlerësuar se ai nuk duhet të mbajë pozitën për aq kohë sa është i dënuar. Vazhdimisht ka pasur pretendime për të marrë drejtimin e FFK-së nga të tjerë, por Ademi deri më tani ka qëndruar në post. Ka pasur raportime për kandidaturë të mundshme të Gramoz Vokrrit, djalit të ish-presidentit Vokrri, e më pas të Arianit Ahmetit, ish-zëvendës sekretarit të përgjithshëm të FFK-së. Ende nuk përjashtohet mundësia që njëri prej tyre të kandidojë sërish për të parin e futbollit kosovar.

Por Salihu vlerësohet kandidat serioz për kryetar të FFK-së dhe si personi që ka përkrahjen e drejtuesve tjerë dhe punëtorëve të federatës.