Eroll Salihu, kandidat për kryetar të FFK-së?

Përveç në politikë, muajt e fundit zhvillime interesante ka pasur edhe në Federatën e Futbollit të Kosovës.

Thirrjet për largimin e Agim Ademit nga pozita e të parit të FFK-së kanë qenë të panumërta. Ademi pasoi të ndjerin Fadil Vokrri në karrigen e kryetarit të FFK-së në vitin 2018.

Fillimisht, ishte zëvendës-sekretari i FFK-së, Arianit Ahmeti ai që tentoi të mblidhte nënshkrimet për shkarkimin e Ademit. Pavarësisht se deklaronte që numri i nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit ishte në rritje, një gjë e tillë nuk u finalizua kurrë.

FFK më vonë shkarkoi nga pozita e zëvendës-sekretarit Ahmetin, më 4 dhjetor 2019.

Gjithsesi, ‘lufta’ për ta ‘kapur’ Federatën e Futbollit do të vazhdonte më pas.

Në mbledhjet e ardhshme të Komitetit Ekzekutiv do të kishte më shumë përplasje sesa përfundime të punimeve për çka ishte thirrur KE-ja – në njërën anë opozita e Ademit dhe në anën tjetër mbështetësit e tij.

Tahir Batatina i Llapit e Abedin Zeka i Trepçës ’89 ishin më të zëshëm në këto mbledhje të KE, ku kërkon shkarkimin e Agim Ademit, që kinse sipas tyre po shkelë statutin e FFK-së – në këtë mes nuk përjashtohet as klubi i Ballkanit, që në një mënyrë apo tjetër i qëndrojë në krahë grupit të Batatinës.

As përpjekjet e tyre deri tani nuk kanë sjellur asgjë.

Ademi duket se nuk do e kishte problem mbajtjen e mandatit të plotë katër-vjeçar në krye të Federatës deri në vitin 2022, por ai ka një të kaluar jo të mirë jashtë futbollit.

Ademit, i cili është tash e një kohë të gjatë pjesë e futbollit vendor, iu vërtetua dënimi nga Gjykata e Apelit prej nëntë muajsh burg efektiv, që gjykata e shkallës së parë, kishte shqiptuar ndaj tij.

“A.A. dhe M.R. janë shpallur fajtor nga ana e gjykatës së shkallës së parë, për veprën penale të detyrimit në tentativë, nga neni 267 paragrafi 2, lidhur më paragrafin 1, lidhur me nenin 20 dhe 23 të Kodit Penal të Kosovës(KPK), dhe janë gjykuar, i pari më dënim më burgim në kohëzgjatje prej 9(nëntë) muajve, ndërsa i dyti më dënim më burgim në kohëzgjatje prej 1(një) viti. Gjykata e Apelit gjeti se aktgjykimi i ankimuar, nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, nuk është shkelur ligji penal dhe se gjendja faktike, është vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë. Apelit vlerësoj se dënimi i shqiptuar është në proporcion më shkallën e rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale, shkallën e përgjegjësisë se akuzuarve dhe në funksion të qëllimit të përcaktuar me ligj”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Agim Ademi dhe Muharrem Rama akuzohen se gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar Dritëro Kadollin, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30.000.00 euro, apo një veturë të tipit “BMW X5”, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.

Lidhur me këtë akuzë, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 korrik 2019, i kishte shpallur fajtor Ademin dhe Ramën për veprën penale, detyrim në tentativë.

Kjo i prish punë Agim Ademit, që sipas statutit të FFK-së, saktësisht neni 24, potencon se një individ nuk guxon të jetë i dënuar me Aktgjykim të plotfuqishëm për vepra penale për ta ushtruar detyrën e tij.

Lidhur me këtë, lajmi.net nga burimet e veta mëson se krahu i djathtë i Ademit, Eroll Salihu po mendon kandidimin për të parin e FFK-së, në rast largimi të kryetarit të tanishëm.

Salihu është kontaktuar nga lajmi.net lidhur me këtë, duke mos mohuar e as pohuar këtë informacion.

‘’Na e kemi përkrahë Agim Ademin deri tani, por ky e ka një lëndë prej vitit 2012. Në rast se nuk ka zgjidhje tjetër, ne do të ulemi me Komitetin Ekzekutiv dhe do të diskutojmë. Nuk përjashtohet asgjë’’, tha ai për lajmi.net.

Eroll Salihu aktualisht ka pozitën e sekretarit të përgjithshëm të FFK-së dhe është njëri ndër njerëzit që ka punuar ngushtë edhe me të ndjerin, Fadil Vokrri.

Salihu gjithashtu është një nga personat që ka më së shumti përvojë me punët në Federatë, andaj kandidimi i tij është mëse i logjikshëm.

Lidhur me ngjarjet vijuese, lajmi.net do ju mbajë të informuar në lidhje me çdo zhvillim në Federatën e Futbollit të Kosovës.