Recep Tayyip Erdogan

Erdogani i ashpër ndaj Izraelit: Ndale masakrën në Gaza, njihe shtetin palestinez

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka drejtuar kritika të ashpra të martën ndaj Izraelit, duke kërkuar që ai ta njohë menjëherë një shtet të pavarur palestinez.

Erdogan po ashtu ka kërkuar që të ndalet lufta në Rripin e Gazës.

“Dëshiroj të nënvizoj këtu përsëri se ne duhet të ndalojmë masakrën në Gaza sa më shpejt të jetë e mundur përpara se rajoni ynë të përballet me kërcënime shumë më të mëdha”, ka thënë Erdogan para Samitit të Qeverive Botërore në Dubai, raportoi Associated Press.

Ai kritikoi kolonët izraelitë që po merrnin toka në Bregun Perëndimor, ndërsa disa në qeverinë e linjës së ashpër të kryeministrit Benjamin Netanyahu bënë thirrje për vendbanime në Rripin e Gazës.

“Nëse Izraeli dëshiron paqe të përhershme në rajon, ai duhet të ndalojë së ndjekuri ëndrrat ekspansioniste dhe të pranojë ekzistencën e një shteti të pavarur palestinez të bazuar në kufijtë e vitit 1967”, është shprehur Erdogan.

Ai e përshkroi Turqinë si një vend që është “duke jetuar në një rreth zjarri” në rajon.

Ai gjithashtu bëri thirrje që financimi të rifillojë menjëherë për agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Palestinezët, e njohur si UNRWA.