Erdogan viziton Malin e Zi, takohet me Gjukanoviqin dhe Abazoviqin

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha se kishte rënë dakord me presidentin malazez, Milo Gjukanoviq rreth një marrëveshje tragtare që kap vlerën prej 250 milionë dollarë.

Erdogan po qëndron për një vizitë një ditore në Mal të Zi pasi qëndroi në shtetin e Bosnje dhe Hercegovinës. I pari i shtetit turk është takuar edhe zëvendëskryeministrin, Dritan Abazoviq, i cili e kishte mikpritur në Aeroportin e Podgoricës.

Erdogan tha se ai shpresonte që Turqia-Mali i Zi të kapërcejë krizën tregtare të shkaktuar nga pandemia.

“250 milionë dollarë janë qëllimi kur bëhet fjalë për tregtinë, të cilën ne e përcaktuam në takim dhe mbi të cilin do të vazhdojmë të punojmë. Sektori privat turk ekziston në Mal të Zi dhe vendi ynë është në dhjetë vendet e para që investojnë në Mal të Zi. Vlera e projekteve që Turqia ka zbatuar në Mal të Zi është mbi 20 milionë ”, tha ai dhe shtoi se do të vazhdojnë të investojnë në projekte në Mal të Zi.

Ai theksoi se Ballkani është i rëndësishëm për Evropën “Mali i Zi vazhdon të respektojë aktivitetet në kohë paqeje dhe ne duhet të përgëzojmë për hapat domethënës që vendi juaj po ndërmerr drejt integrimit në BE. Shpresojmë që së shpejti të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian”, raporton rtcg.

Presidenti Milo Gjukanoviq tha se “marrëdhëniet midis Malit të Zi dhe Turqisë janë miqësore. Marrëdhëniet ndërshtetërore janë zhvilluar dhe falë anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, ne jemi bërë partnerë”.

“Një dorë e shtrirë bashkëpunimi për të gjithë ata që respektojnë vendin tonë”, shkroi Abazoviq në Twitter.