Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani, i është drejtuar me një letër Rektorit të UP’së dhe Senatit, përmes së cilës ka kërkuar që të mos votohet lidhur me rastin e tij, pa dalë me vendim Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, lidhur me kërkesën e tij për përjashtim të Kryetarit të Këshillit të Etikës, Iset Morinës, për siç ka thënë, konflikt interesi.
Hasani ka thënë se Morina ka vendosur vetë për kërkesën e Hasanit që ai të përjashtohet nga rasti.
“Imagjinoni, pra, z. Iset Morina, ka vendos vetë për kërkesën time për përjashtimin e tij! Në asnjë kulturë juridike në rruzull tokësor nuk mund të jesh gjyqtar në çështjen tënde: Nemo Judex in Causa Sua, kanë thënë romakët e vjetër ! Iseti këtë nuk e ka pasur parasysh dhe vetë ka vendosur që të bëhet “vetë pashë e vetë subashë”, siç thotë populli ynë”, ka deklaruar Hasani.
Sipas Hasanit, vënia në rend të ditës e rekomandimit të Morinës lidhur me rastin e tij, ende pa pritur opinionin e APK’së, është abuzim me ligjin dhe tërheq përgjegjësi penale për çdokënd që vepron në kundërshtim me ligjin.
Ai ka thënë se sipas informacioneve që ka, çështja në APK është në procesin e shqyrtimit dhe vendosjes dhe shumë shpejt pritet të shpallet opinioni/vendimi.
“Në këtë rrethanë, vënia në rend të ditës e rekomandimit të Iset Morinës, akoma pa pritur vendimin/opinionin e APK është abuzim me ligjin dhe tërheq përgjegjësi penale për çdokënd që vepron në kundërshtim me ligjin. Ju njoftoj gjithashtu se rekomandimi i zotit Iset Morina nuk është votuar unanimisht, siç ju gënjen Iseti: aty kanë qenë vetëm tre anëtarë prezent (nga pesë që duhet të jenë), kurse kanë votuar vetëm Iseti dhe anëtari i Këshillit të Etikës nga Fakulteti i Arteve, zoti Rrezart Galica ! Kjo çështje do të sqarohet në një procedurë penale, për çka as nuk dëshiroj t’ju ngarkoj më shumë”, ka thënë tutje Hasani.
Ai i ka kërkuar Rektorit dhe Senatit që të hiqet nga rendi i ditës së Senatit i datës 27 nëntor 2024, votimi për rekomandimin kundër tij, i dhënë nga Iset Morina në emër të Këshillit të Etikës, dhe njëkohësisht të pritet vendimi/opinioni i APK.
“Vetëm kur të sqarohet çështja e konfliktit të interesit mund të krijohen kushtet për shqyrtim dhe vendosje të drejtë e të paanshme të rastit të ngritur kundër meje. Kjo është një e drejtë kushtetuese dhe ligjore, shkelja e së cilës mund të tërheq pasoja juridiko-penale për këdo”, ka deklaruar Hasani.
Ndryshe, Dekani i Fakultetit Juridik, Avni Puka, e ka dërguar Hasanin në Këshill të Etikës duke e akuzuar se nuk ka mbajtur asnjë ligjëratë gjatë vitit akademik 2023/2024 dhe se e ka vënë në lajthim Fakultetin Juridik, duke u kompensuar për normë e mbinormë pa mbajtur mësim në shumë mbi 15 mijë euro.
Hasani ka thënë se Puka vetë ka nënshkruar për orët e mbajtura nga profesorët.
Në arsyetim, Hasani ka thënë se gjatë vitit akademik 2023/2024 ai ka qenë në Helsinki për shërim, pasi ishte diagnostifikuar me një sëmundje të rëndë, për çka thotë ta ketë njoftuar Rektorin e UP’së, Qerim Qerimi. Edhe për Pukën thotë se e ka ditur se ndodhej për shërim jashtë vendit.
Lidhur me pagesat, Hasani ka thënë se ato janë bërë me urdhër të Pukës.
“Asnjë pagesë në FJ, kur kemi të bëjmë stafin akademik nuk mund të ekzekutohet në financa pa nënshkrimin e Dekanit. Dekani i nënshkruan dhe lejon pagesën, vetëm mbi bazën e raporteve që ia sjellin të nënshkruara personalisht profesorët, e jo dikush tjetër”, thuhet në arsyetim./Express/







